E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vllaznia-Partizani, ndeshja që për pak sa nuk u bojkotua

Albania-Sport - Dy gola të njëpasnjëshëm, kontestime të fuqishme ndaj gjyqtarit, kërcënime në pushim të ndeshjes për braktisjen e saj nga skuadra vendase dhe një barazim që i vlen më shumë miqve. I ka patur të gjitha në fakt sfida e zhvilluar sot pasdreke në stadiumin "Loro Borici" të Shkodrës, midis Vllaznisë vendase dhe të kuqve të Partizanit, e cila e ka lënë aspak të pakënaqur presidencën shkodrane, por relativisht të kënaqur miqtë nga kryeqyteti.
Një ndeshje e nisur relativisht e qetë dhe e barabartë ka shpërthyer papritmas në minutën e 34-t, kur vendasit kanë kaluar në epërsi me anë të malazezit Vukcevic, i cili ka përcjellë në rrjetë me kokë një top të ardhur nga goditja e këndit. Por, në rivënien e topit në lojë nga pika e mesit të fushës, Partizani është hedhur në sulm, duke e kapur të papërgatitur skuadrën vendase dhe duke gjetur golin e barazimit, me anë të Paulin Dhëmbit, i cili shënon golin e tij të dytë brenda 5 ditësh, pas atij të shënuar në fitoren 1-0 ndaj Kastriotit të shtunën në kampionat.
Gjithsesi, goli kontestohet mjaft nga skuadra vendase, madje, në pushim të ndeshjes, presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, duke folur për Radio Tiranën, ka akuzuar ashpër gjyqtarin e ndeshjes, Bardhyl Pashaj, për qëndrime tendencioze ndaj skuadrës së tij, si në Kupë, ashtu edhe në kampionat, duke vijuar të kërcënonte se nuk do ta fuste skuadrën e tij në fushë në pjesën e dytë. Partizani ka hyrë në fushë në pjesën e dytë, por i është dashur të presë disa minuta, pasi, pas konsultimeve me drejtuesit e klubit, lojtarët e Vllaznisë kanë vendosur ta luajnë pjesën e dytë.
45 minutat e dyta nuk kanë arritur të dhurojnë gol, pavarsisht përpjekjeve të të dyja skuadrave, dhe gjithcka është mbyllur në barazim 1-1, cka nënkupton se Vllaznisë i nevojitet një fitore ose një barazim 2-2 e lart, në kryeqytet, më 28 shkurt 2007, për t'u kualifikuar, ose të paktën 1-1 për ta cuar ndeshjen e kthimit në kohën shtesë. Ndërkaq, pasi ka siguruar vendin e dytë në renditje, të paktën për momentin, Partizani shpreson që të shkojë në gjysmëfinale të Kupës, e cila mbetet shpresa reale për trofe.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›