E Diel, 1 Nëntor 2026

Mou: Kemi sulm të frikshëm, Hejnkes: Do kualifikohemi

Jose Mourinjo nga njëra anë, por edhe Jup Hejnkes nga ana tjetër, besojnë te kualifikimi.
Rezultati 2-1 për bavarezët i ndeshjes së parë, u jep mundësi si gjermaneve dhe spanjollëve që të bëjnë llogari për finalen.
Sakaq, Murinjo po mundohet të shijojë në maksimum momentin që po kalon te Reali i Madridit, ndërkohë që është fokusuar te sfida kundër Bajernit të Mynihut. Është e vërtetë që ne jemi shumë pranë titullit kampion në Spanjë. Fitorja e arritur kundër Barcelonës ishte vendimtare. Gjithsesi, unë nuk bëj diferencime midis kompeticioneve. Nuk më vjen që të them se Championsi është më i rëndësishëm se kampionati. Ti fitosh të dyja? E mrekullueshme. E kam provuar dhe më parë, dhe e di që është diçka e paharrueshme. Por, kemi ende shumë rrugë për të bërë, tha tekniku. Ndërsa për ndeshjen me Bajernin ai theksoi: Kundër Bajernit luajmë biletën për në finale. Ajo që më kënaq më shumë te skuadra ime, është qetësia. Janë në kushte optimale për të pritur një përballje si e ajo e nesërmja (sot). Unë e njoh forcën e skuadrës, e di se çfarë janë të aftë të japin në fushën e lojës, po ashtu siç di edhe çfarë problemesh kemi. Ata e dinë që ne kemi një sulm shumë të rrezikshëm, i cili do të shënojë të paktën një gol. Madje, jam i sigurt që do të shënojmë. Unë mendoj se e di se si do të luajë Bajerni në minutat e para të ndeshjes, por sigurisht që nuk e di se si do të përfundojë kjo sfidë, pavarësisht optimizmit që kam për kualifikimin, deklaroi Murinjo dje në konferencë për shtyp. Ndërsa ish-trajneri i madrilenëve, Jup Hejnkes, pas triumfit në vitin 1998, 14 vite më vonë është zotuar të shpallet Kampion i Europës me Bajernin dhe sonte në mbrëmje ai do të luajë ndeshjen e karrierës, ose duelin e dekadës së fundit të bavarezëve. Gjatë konferencës për shtyp në Madrid, 66-vjeçari gjerman është shprehur optimist dhe nënvizon se i ka marrë të gjitha masat për të thyer ajsbergun apo mposhtur mitin Bernabeu, i cili mbart në vetvete një histori të tërë. Ka për të qenë një duel gjigantësh, të cilët mbartin një histori të suksesshme. Personalisht kam kujtime të bukura nga Madridi në këtë stadium. Dua të nënvizoj se teksa deri dje ishte Barcelona zoti i gjithçkaje, Reali fitoi ndaj tyre, dhe këtë gjë do të bëjmë edhe ne. Të jeni të sigurt se Bajerni nuk e ha presionin, edhe pse Santiago Bernabeu është një stadium i veçantë. Nëse ata mendojnë se do na duken shumë të gjata ato 90 minuta, po ju them se ka për të ndodhur e kundërta, pasi ne do të shkruajmë historinë. Kam një ekip të kompletuar. Pasioni, nervozizmi, zilia, zgjuarsia dhe ambicia do të na ndihmojnë ta bëjmë realitet ëndrrën tonë. Besoj se në këtë aspekt jemi dominantë dhe, mbi të gjitha, rezultati i parë është në favorin tonë. Edhe pse ata shënojnë shpesh në shtëpi, ne do tua vështirësojmë shumë lojën falë taktikës sonë. Jemi në gjendje të shënojmë një apo dy gola në Bernabeu dhe, për më tepër, që kemi treguar se pësojmë më pak gola se ata. Kemi ofensivë shkatërruese, e cila do të na nxjerrë fitues nga Madridi. Jam i sigurt se pas këtij 90-minutëshi do të jemi ne ata që do të gëzojmë. Finalja e Championsit sivjet luhet në stadiumin tonë, ndaj do të bëjmë të pamundurën për të qenë ne në atë finale, tha Hejnkes gjatë konferencës për shtyp.

Statistikat/ Duelet flasin gjermanisht
Përballjet Real-Bajern në Champions gati po shndërrohen në një klasike. Ato janë ndeshur 14 herë me njëra-tjetrën, ndërsa në Bernabeu gjermanët kanë dalë shpesh fitimtarë. Reali ka zhvilluar 9 ndeshje në shtëpi kundër Bajernit. Ndryshe nga bavarezët, që kishin një bilanc pozitiv në Alianz-Arena, me të gjitha fitoret dhe një barazim, për madrilenët statistikat flasin negativisht. Më saktë, ata kanë arritur të fitojnë 6 herë, të barazojnë një dhe të humbasin 2 takime në fushën e tyre përballë rivalëve gjermanë në Santiago Bernabeu.

Riberi: Jam i fortë se jam i shëmtuar
Mesfushori francez, Frenk Riberi, ka qenë shumë në humor para mediave spanjolle. Teksa mbërritën në Madrid, ai i ka kërcënuar rivalët e tij duke nxjerrë në pah anët e forta të tij si futbollist. Të gjithë kemi ardhur për një synim në Madrid: të bëhemi pjesë e finales. Teksa e humba në vitin 2010 në këtë stadium, për mua kjo do të jetë ndeshja më e rëndësishme e jetës sime. Dhe, nëse doni ta dini se pse jam kaq i fortë, këtë mund tjua sqaroj vetëm me një fjali: jam i fortë, pasi jam i shëmtuar. Përgjatë 90 minutave në fushë do të jap gjithçka, tha Riberi.

Rumenige: Robe-ri do bëjë diferencën
Drejtori i Përgjithshëm i bavarezëve, Karl-Hainc Rumenige, është i mendimit se Riberi dhe Roben do të luajnë rolin më të rëndësishëm në këtë duel gladiatorësh. Ai beson se dy yjet mund të bëjnë të vetëm diferencën ndaj galaktikëve të Murinjos. Kualiteti i të dyja skuadrave nuk ka ndonjë diferencë të madhe. Uroj shumë që Riberi dhe Roben të jenë në superformë, pasi jam i sigurt se ata janë në gjendje ta bëjnë diferencën të vetëm ndaj Realit. Le të shpresojmë se do të jemi ne ata që do të shkojmë në finale dhe, pse jo, edhe ta fitojmë atë, tha Rumenige.

Masat: Siguria, angazhohen 2200 policë
Më shumë se 2200 trupa të sigurisë do të sigurojnë mbarëvajtjen e ndeshjes Real-Bajern. Në fakt, masat e rrepta të sigurisë kanë nisur që me mbërritjen e Bajernit në Madrid, pasi kjo gjysmëfinale është klasifikuar në një ndeshje me rrezikshmëri të lartë për trazira (udhëtojnë 4000 bavarezë). Ndër forcat që do të garantojnë sigurinë, veç policëve, trupave të antiterrorit apo patrullave civile, janë dhe helikopterët që do të fluturojnë mbi Santiago Bernabeu.

LEONARD KARAJ

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›