E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teuta me Tiranën, “dashuri” në Durrës

Dash Frashëri
- Tirana, kampionia e porsakurorëzuar e Shqipërisë (për herë të 23-të) do të përballet të shtunën në "Niko Dovana" (ora 16:00) me ndjekësen e saj më të afërt, Teutën, njëherësh edhe finaliste e Kupës së Shqipërisë (me Besën). Takimi do të drejtohet nga gjyqtari Bardhyl Pashaj i ndihmuar nga asistentët Salaj-Dervishaj. Fitore për Besën? Teuta, që vjen pas barazimit pa gola me Vllazninë (e vendit të tretë), synon fitoren me bardheblutë, për të qenë e qetë në vendin e dytë, kur është vetëm një pikë para shkodraneve kur duhen edhe dy ndeshje nga përfundimi i Kampionatit të 68-të Kombëtar. Një "tripikësh" me Tiranën do të thoshte konsolidim i vendit të dytë, pjesëmarrje direkt në Kupën UEFA dhe një ctensionim i gjendjes psikologjike para finales me Besën të mërkurën e ardhshme, ku është folur jo pak për një paraaleancë komprometuese midis dy ekipeve, ku si fituese e Kupës së Shqipërisë shihet skuadra kavajase. Jo për shëtitje Trajneri i Teutës, Sulejman Starova, një-ish trajner kampion me Tiranën (sezoni 2004-2005), është i vetëdijshëm se Tirana nuk do të zbresë në tapetin e "Niko Dovanës" për shëtitje, edhe pse bardheblutë presin vetëm përfundimin zyrtar të sezonit për të prekur trofeun të fituar tashmë qysh në javën e 31-të, kur të mërkurën mposhtën Partizanin (një tjetër i eliminuar në Kupë nga Teuta), përmes polemikave të ashpra në lidhje me gjykimin e tejet të diskutueshëm të gjyqtarit Ervis Peza. Asnjë humbje Me asnjë humbje në shtëpi në 16 javët e zhvilluara, Teuta, një herë kampione e Shqipërisë (1993-1994) do të përballet për herë të pestë me rekordmenët shqiptarë për këtë sezon futbollistik, pas katër të parave: dy për kampionat dhe dy për kupë. Në dy takimet e zhvilluara në Durrës kundër Tiranës, Teuta ka barazuar 1-1 (për kampionat) dhe 2-1 (për cerekfinalet e Kupës së Shqipërisë). Gjithsesi Tirana, që e shkatërroi Teutën 5-0 në fazën e parë, e ka një hak për të marrë kundër ekipit që e eliminoi në mënyrë dramatike nga rruga e Kupës, kur dy skuadrat e mbyllën në barazim ndeshjen e dytë cerekfinale në "Qemal Stafa". Rikthehet kapiteni Në takimin me durrsakët do të rikthehet kapiteni i Tiranës, Devi Mukaj, i cili plotësoi pezullimin dyjavor (mungoi ndaj Besës dhe Partizanit), por do të mungojnë Capja (autori i golit që shpalli kampion Tiranën) dhe Albert Duro. Kapiteni Devi Mukaj, i cili ka fituar pesë tituj kampionë qysh kur është bashkuar me Tiranën në sezonin 1998-1999 ka shënuar në "Qemal Stafa" në goleadën fantastike të bardhebluve kur fituan 5-0 në fazën e dytë (Java 18). Te Teuta do të mungojë mbrojtësi i njohur Endri Vrapi dhe sulmuesi Bekim Kuli. TE VECANTAT Dueli i "Këpucës së artë": Xhafaj-Sinani Sfida e trete sezonale (e 140 historike) midis dy ekipeve ka brenda saj disa gara tërheqëse, ku më pikantja është ajo midis dy golashënuesve më të mirë të kampionatit, që luftojnë për "Këpucën e Artë": Vioresin Sinanit (Tirana), i cili ndodhet në kuotën e 21 golave dhe që kërkon të bëjë "double" (e ka fituar edhe njëherë në sezonin 2003-2004,36 gola) dhe Daniel Xhafajt (Teuta), i cili ka realizuar në 31 kampionat 19 gola. Interesant është fakti se nëse Daniel Xhafaj ka shënuar golin e vetëm të Teutës kundër Tiranës, Vioresin Sinani nuk është autori i asnjë prej 6 golave bardheblu në portën durrsake. Inati i vëllezërve Duro me Staroven Jo pak inate kanë dhe vëllezërit Duro ndaj ish-trajnerit të tyre Sulejman Starova. I madhi, Alberti (mbrojtës) u përjashtua nga Teuta pas rekomandimit të Starovës (madje në shtyp shkëmbyen akuza dhe fyerje reciproke), dhe i vogli Klodiani (mesfushor) shpërtheu në delir kur shënoi atë gol fantastik në fitoren kundër durrsakeve (5-0) në limitin e takimin në kryeqytet, gol që ia dedikoi me ironi trajnerit të Teutës. Statistikat te ngjyrosura "bardheblu" Në 22 ndeshjet e fundit, qysh nga sezoni 1999-2000, Teuta ka fituar vetëm pesë herë kundrejt 12 fitoreve të bardhebluve, cka reflektohet edhe në bilancin e plotë të tyre. Në 139 përballjet historike midis tyre, Teuta ka mundur të fitojë vetëm 32 herë, kundrejt 70 fitoreve të Tiranës (37 barazime). Bardheblutë kanë shënuar dicka më shumë se 100 gola (plus) në raport më durrsakët që kanë "njollosur" portën bardheblu 116 herë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›