Bogdani: Ndaj Rumanisë të hakmerremi edhe për humbjen 6-1!
Mutusë i kam thënë: Mbas humbjes, që na shkaktuan në Rumani me rezultatin e thellë 6-1, më mirë të mos vijnë në Shqipëri. E kam paralajmëruar për hakmarrje
Erion Bogdani është tashmë në podin e kryegolashënuesit të kombëtares kuqezi. Goli i 15-të, që e realizoi ndaj Luksemburgut, bëri që ai të parakalonte Alban Bushin. Megjithatë, kjo arritje personale duhet të shkojë paralelisht me sukseset e kombëtares. Të paktën kështu dëshiron vetë Er Bomber të ishte.
Ka munguar ndaj Francës, ndërsa shihet si përforcimi ideal për eliminatoren e fundit ndaj Rumanisë, ku Shqipëria, sipas tij, duhet të hyjë në fushë vetëm për të fituar. Sepse, 8 pikët aktuale në klasifikim, janë vërtet pak për mundësitë e kombëtares kuqezi. Në intervistën e mëposhtme, sulmuesi shqiptar, që luan me Çezenën në Serinë A, komenton:
Bogdani, cili është vlerësimi që keni për 90 minutat e Parisit, duke e parë nga jashtë ndeshjen?
E kam parë nga televizori ndeshjen, por i kam përjetuar emocionet si të isha përkrah shokëve të kombëtares, aty në fushën e blertë. Për mua ishte një ndeshje e vështirë, ndaj nuk është turp të mundesh me Francën. Ky kundërshtar dhe lider në grupin tonë kualifikues ka një ekip shumë të mirë, përbëhet nga lojtarë që luajnë në klubet më të mira të Europës.
Megjithatë, duke e riparë ndeshjen në fjalë, mund tua kishim bërë pak më të vështirë fitoren francezëve. Shqipëria luajti me lojtarë të rinj në Paris, kështu që kjo ndeshje do tu shërbejë mjaft kandidatëve kuqezinj për kombëtaren. Jam i sigurt se kur të luajnë me ekipe më të dobëta se Franca, do të japin kontributin e tyre dhe do të luajnë më mirë. Për cilindo futbollist, të luash në Paris ndaj Francës është një eksperiencë shumë e bukur.
Kë do të veçonit nga kombëtarja jonë në këtë transfertë, përtej rezultatit negativ, që dha shenja pozitive?
Unë dua të flas për ekipin, si një e tërë, jo për individë të veçantë. E përsëris, Franca ishte një ndeshje shumë e vështirë, ndaj të biesh në sy në një moment si ky duket gati e pamundur. Kuptohet, edhe nga humbja në Paris duhen nxjerrë mësimet e duhura, madje prej këtej duhet të marrim shtysë që kundër Rumanisë të luajmë vetëm për fitore.
Pritshmëritë për eliminatoren e fundit…?
Shqipëria vërtet nuk futet tek pretendentët në një fushatë kualifikuese, por mendoj se meriton më tepër se tetë pikë në klasifikim. Shpresoj që këtë kuotë ta tejkalojmë falë një fitoreje me rumunët. Në këtë moment duhet ta kujtojmë të gjithë humbjen që kemi pësuar në Rumani, herën e fundit, me rezultatin 6-1.
Të gjithë këta faktorë ti kthejmë në forcë, për ti bërë mbylljen e duhur këtij edicioni kualifikues. Do të luajmë para publikut tonë, i cili meriton më shumë. Pas tri humbjeve radhazi, dy herë me Francën dhe një me Luksemburgun, është momenti për të bërë autokritikë. Me këtë dua të përforcoj apelin tim: Ta fitojmë këtë ndeshje!
Trajneri i Rumanisë thotë se kjo ndeshje do ta ndihmojë për Botërorin 2014. E shihni këtë si avantazh se Shqipëria mund të marrë më kollaj një rezultat pozitiv?
Jo, nuk e shoh si avantazh. Edhe sikur Rumania të luajë me lojtarë të rinj, nuk do ta kemi kurrsesi të lehtë. Rumunët kanë një kampionat më të fortë se ne, kështu që nuk e kemi luksin ta shohim këtë ndeshje në këtë këndvështrim. Ne duhet të zbresim në fushë për të dhënë maksimumin, si e vetmja mënyrë për ta fituar ndeshjen.
Pavarësisht mungesave, kthehet Lala dhe ju. Sikurse duket, ndaj rumunëve do të kemi një ndërthurje më të mirë të lojtarëve me eksperiencë dhe atyre më të rinj. A mendoni se kjo do ta forcojë ekipin, kështu që duhet të presim tjetër performancë krahasuar me Francën?
Nuk diskutohet, po të mos luash dy ndeshje, je më i freskët. Kjo vlen edhe për mua dhe Lalën. Megjithatë, pavarësisht kësaj, duhet ta fillojmë lojën me entuziasëm dhe duke ushtruar presion te kundërshtari. Luajmë në fushën tonë, kështu që duhet të bëjmë çmos për ta fituar ndeshjen.
Sa e rëndësishme është kjo ndeshje për ju, pasi keni deklaruar se mund të jetë e fundit me kombëtaren?
Unë kam biseduar edhe me trajnerin e skuadrës dhe, pavarësisht se jam duke kaluar një formë të mirë sportive, çka e kam provuar edhe në Itali, në ndeshjen e fundit, sdo doja të isha një peshë për ekipin kombëtar. Nëse ekipi kombëtar ka nevojë për mua, nuk diskutohet, do të jem i gatshëm kurdoherë. Nëse do të jetë ky trajner, apo një tjetër, që do të aktivizojë lojtarë të rinj, për mua nuk ka asnjë problem.
Ska pasur problem për mua as kur nuk jam thirrur fare për një kohë, as kur kam qenë në pankinë, as kur kam përfunduar në tribunë. Problemet nuk kanë ardhur asnjëherë nga Bogdani. Unë kam qenë një lojtar korrekt me ekipin kombëtar dhe me trajnerët e tij.
Unë vazhdoj të stërvitem, të luaj në Itali dhe të kem formën time si lojtar, kështu që i mbetet trajnerit të kombëtares të vendosë. Në momentin e parë që sdo të jem në formë, ju siguroj se do të jem vetë i pari që do të tërhiqem. Nuk do tia lejoj kurrë vetes të zvarritem në fushat e futbollit, jo më në kombëtare.
A keni biseduar me Mutunë, që e keni shok ekipi në Itali, për ndeshjen e radhës dhe, nëse po, çfarë, nëse mund ta dimë?
Po, patjetër që kemi diskutuar për ndeshjen mes dy kombëtareve tona. Kam marrë mesazhe thumbuese prej tij ditët e fundit, ashtu sikurse i kam kthyer përgjigje në të njëjtën mënyrë. Mutusë i kam thënë: pas humbjes, që na shkaktuan në Rumani, me rezultatin e thellë 6-1, më mirë të mos vijnë në Shqipëri. E kam paralajmëruar për hakmarrje.
Gjithsesi, këto janë mesazhe mes shokësh të një ekipi, pasi duhet të qëndrojmë me këmbët në tokë. Përveç Mutusë, që është një lojtar shumë i mirë, Rumania ka një ekip të fortë për tu mundur. Duhet të djersijmë shumë, të jemi të përqendruar në maksimum, që ta mbyllim me sukses këtë eliminatore të fundit. Sinqerisht, nuk jemi ekip për ta mbylluar fushatën kualifikuese me tetë pikë.
Duhet të fitojmë me Rumaninë, që të ngjitemi në kuotën e 11 pikëve, çka do të ishte një arritje e mirë. Në këtë kuptim, vërtet kemi dalë jashtë çdo objektivi, do të jemi sërish të parafundit, por kjo ndeshje është tepër e rëndësishme për ne.
Pas paraqitjes më të fundit 45-minutëshe në Serinë A, morët një vlerësim shumë pozitiv. A ka ndryshuar diçka në raportet tuaja me ekipin, me trajnerin? A do të keni më shumë hapësira?
Është e vërtetë që ka ndryshuar diçka në këtë raport, megjithatë doja të falënderoja publikun, sepse nga fillimi i sezonit më ka mbështetur shumë. Ishte kjo përkrahje, por edhe dëshira e trajnerit, që më detyruan të mos largohesha nga Çezena, pasi kisha oferta dhe mund ta ndryshoja ekipin.
Tani them se ka ardhur momenti të luaj më shumë me Çezenën, sepse kam arritur formën e vitit të kaluar. Dua të shënoj gola dhe të jem ndër lojtarët kryesorë të ekipit tim.
A do ta keni djalin tuaj tifoz special në stadium, ndaj Rumanisë?
Varet si do të jetë koha. Personalisht kam qejf të vijë, por është akoma i vogël, tre muaj e gjysmë. Vërtet më pëlqen të vijë në stadium në këtë ndeshje, të bëjë edhe ai tifozllëk për kombëtaren shqiptare.
