E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teuta nuk shënon në Moldavi, eliminohet shpejt nga Europa

Durrsakët e drejtuar nga Gugash Magani nuk ecin dot më tej në Ligën e Europës. Ata janë përmbysur në ndeshjen e kthimit në Kishiniev ndaj Daçias, duke u mundur me rezultatin 2-0. Nga një gol në secilën pjesë kanë pësuar "djemtë e detit", aq sa për t'i thënë 'lamtumirë' këtij kompeticioni për këtë edicion. Goli i shënuar në fushë kundërshtare para një jave i ka përparuar në turin tjetër moldavët, sepse rezultati total i dy ndeshjeve ka qenë 3-3. Loja e Teutës në përgjithësi ka qenë e organizuar dhe e qartë taktikisht, e orientuar në qarkullimin e dendur të topit dhe pasimet e shumta tokazi, në tentativë për të ulur ritmin e kundërshtarit, por në dy momentet e golave kemi pasur një hezitim të mbrojtjes dhe gabime që kanë kushtuar rëndë, skualifikimin. Ashtu si Laçi tri ditë më parë, edhe Teuta largohet nga përfaqësimi europian pa lënë ndonjë shije të mirë, edhe pse pati një kundërshtar shumë herë më të vlerësuar e potent se kurbinasit. Durrsakët të paktën fituan njërën nga ndeshjet, por pa mundur të shkojnë në turin e dytë. Kanë shpresuar deri në fund të 90 minutave, por nuk kanë arritur të shënojnë një gol, që të ishte gol kualifikimi. Daniel Xhafaj me të tjerë nuk kanë mundur dot të udhëheqin skuadrën dhe kështu për të dytin vit radhazi eliminohet nga Liga e Europës, por të paktën këtë vit nuk u turpërua. 
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›