Teuta sërish racionale, mjafton një gol për të kapur kreun
Durrsakët shfrytëzojnë vetëm një rast të vetëm dhe marrin maksimalen, ndërsa ballshiotët edhe jashtë po tregojnë se janë të fortë
Teuta Bylis 1-0
Teuta ka fituar tri pikë me vlerë në fushën e saj në Niko Dovana dhe është sërish në krye, por me pikë të barabarta me Tiranën. Megjithëse një fitore me vuajtje, ishte e merituar për durrsakët, që kanë këmbëngulur gjatë gjithë ndeshjes për të gjetur golin, përballë një Bylisi të rreshtuar mjaft mirë në mbrojtje. Është dashur një gabim i portierit Egbo dhe talenti i sulmuesit Çota që Teuta të merrte tri pikë të çmuara me durim dhe me disiplinë taktike.
Pjesa e parë Në këtë pjesë loja është zhvilluar pa shumë raste shënimi për të dyja skuadrat, megjithëse që në fillim të ndeshjes durrsakët kanë qenë më këmbëngulës. Bylisi ka menduar në këtë pjesë vetëm për mbrojtjen. Teuta gjatë gjithë pjesës së parë ka patur epërsi territoriale dhe e ka qarkulluar shumë topin me qëllim që të depërtonte në mbrojtjen ballshiote, që në të vërtetë nuk ka krijuar asnjë hapësirë.
Trajneri Shensoy e ka rreshtuar Bylisin në fushë si një formacion më shumë mbrojtës, ku ballshiotët kanë katër mbrojtës dhe dy mesfushorë. E vetmja alternativë për durrsakët kanë qenë gjuajtjet nga distanca, ku ka rrezikuar Hyshmeri, ndërkohë që Çota vetëm një herë ka arritur të depërtojë në zonën ballshiote, ku Egbo ka zgjidhur situatën e vështirë përpara portës.
Pjesa e dytë Ka nisur e barabartë, ku të dy ekipet bëjnë gabime në qarkullimin e topit dhe nuk janë të qartë në sulmet e tyre, megjithatë loja mbrojtëse e të dy ekipeve ka qenë në lartësinë e duhur. Me kalimin e minutave sërish Teuta e shton presionin dhe krijon rrezikshmëri në sulmin e saj përballë Bylisit. Durrsakët i janë afruar më shumë portës se në pjesën e parë, madje krijojnë disa raste shënimi përballë Bylisit, që ndihet në vështirësi me kalimin e minutave.
Durrsakët e shtojnë presionin dhe në minutën e 71-të Pepa nga e majta ka depërtuar në zonë dhe ka harkuar një top në portë, ku Egbo grushton me vështirësi dhe topi përplaset në traversë e më pas Çota pranë aksionit shtyn topin në rrjetë dhe Teuta kalon në avantazh 1-0.
Pas golit sërish durrsakët luajnë me qarkullimin e topit kryesisht në mesfushë, por mendojnë më shumë për mbrojtjen, ndërkohë që ballshiotët hidhen në sulme të vazhdueshme, por vetëm në fund të ndeshjes rrezikojnë dhe është ndërhyrja e mrekullueshme e Rizvanit që ka shpëtuar portën dhe ruajtur avantazhin. Në fund ka pasur edhe disa nota nervozizmi nga ana e ballshiotëve, por gjithçka ka përfunduar pa ndryshim të rezultatit.
Lika: Duruam dhe vuajtëm, por morëm fitoren
Kemi fituar një ndeshje të vështirë dhe me një kundërshtar që është mbrojtur mjaft mirë dhe nuk na ka krijuar asnjë hapësirë, ndaj edhe ndeshja na është vështirësuar. Megjithatë, nëse do të kishim shfrytëzuar mirë ato raste të krijuara, mund të kishim shënuar edhe ndonjë gol tjetër.
E rëndësishme është që me durim e vuajtje arritëm një fitore tjetër të rëndësishme dhe e them me bindje se Teuta mund të fitojë ndaj cilitdo ekipi këtë sezon. Djemtë kanë luajtur mirë dhe me disiplinë taktike, gjë që jep edhe rezultatin e kërkuar. Tashmë pushimi që kemi në kampionat do të na shërbejë që të rikuperojmë edhe ndonjë lojtar të dëmtuar.
Shensoy: Teuta nuk luan futboll, di vetëm shah
Teuta nuk luan futboll në fushën e lojës, por luan shah dhe ka një taktikë të fortë italiane. Për pasojë ne e kishim studiuar me kujdes lojën e durrsakëve dhe iu përgjigjëm atyre taktikisht, por në një rast ndëshkuam veten. Durrsakët pikërisht këtë shfrytëzuan, rastin, dhe shënuan.
Ne kishim disa raste, por nuk arritëm të barazonim. Gjithsesi, mund të them se me futboll ne nuk humbëm, pasi bëmë më të mirën, por gabuam në një rast. Shihet qartë që Bylisi nuk është më ai i vjetshmi, kur ishte luan në fushë të tij dhe mace jashtë saj. Tashmë ne jemi kthyer në tigër jashtë fushe, gjë që e treguam në Durrës.
