Shaba: Kam prova që Janku e Pregja janë të korruptuar
Drejtori administrativ i klubit shkodran akuzon dy gjyqtarë, të cilët do ti denoncojë pranë federatës, duke paraqitur edhe prova
Vllaznia akuzon. Madje rëndë. Në epiqendër të akuzave të drejtuesve të saj janë dy prej gjyqtarëve të ndeshjes me Kastriotin, pikërisht ndaj kryesorit Albano Janku dhe anësorit Arben Pregja. Ata janë akuzuar rëndë për korrupsion, madje administratori i klubit Vllaznia, Kujtim Shaba, shkon edhe më tej, teksa nuk mbetet vetëm në kuadrin e fjalëve, por deklaron se ka prova për ta vërtetuar atë që thotë për korrupsionin e këtyre arbitrave. Ja çfarë ka thënë Shaba në intervistën e tij për Sportin shqiptar:
Zoti Shaba, shumë i ashpër në deklaratën që keni dhënë pas ndeshjes me Kastriotin. Çfarë ndodhi realisht?
Kam qenë shumë i ashpër vërtet pas ndeshjes, por e kisha një të drejtë për të qenë ashtu. Shikoja me sytë e mi si po na vidhnin gjyqtarët dhe natyrisht nuk jam ndier aspak mirë, prandaj dhe kam reaguar ashpër ndaj tyre.
Keni thënë se do depozitoni një kërkesë në federatë për përjashtimin e dy arbitrave. Pse do mbërrini deri këtu?
Po sot (dje) kemi bërë gati shkresën përkatëse për tia dërguar federatës, për ti kërkuar këtij institucioni përjashtimin përgjithmonë të Albano Jankut dhe Arben Pregjës. Arsyeja pse e kemi bërë këtë kërkesë është për ti demaskuar këta arbitra, që njihen në opinionin sportiv si ndër më të korruptuarit prej vitesh. Përpos kësaj, ata janë në vitin e fundit të gjykimit, sepse u mbaron mosha dhe duke qenë kështu, në këtë sezon të fundit çfarë nuk do presësh prej tyre. Për ti dalë para punës, do ishte edhe në nderin e federatës ti përjashtonte ata.
Po akuzoni rëndë. Keni prova për këto që thoni ndaj këtyre dy arbitrave?
Po, kam prova, sepse kam qenë vetë prezent në disa raste të tjera kur ata kanë marrë para. Në daç po jua jap edhe vendin ku këta arbitra marrin paratë. Megjithatë, unë këto do ia bëj të ditura federatës dhe sektorit të gjyqtarëve pranë këtij institucioni kur të mi kërkojnë. Jam gati të ballafaqohem me ta kur të duan dhe si të duan, sepse i njoh mirë se kush janë.
Cilat janë pretendimet tuaja për këta gjyqtarë në lidhje me ndeshjen e fundit në Krujë?
Së pari, goli që na u anulua ka qenë tërësisht gabim i anësorit Pregja dhe kjo u pa qartë edhe në moviolat televizive. Së dyti, vërtet Turdiu doli me të kuqe, por Janku nuk kishte nga të shkonte po të mos e jepte atë, sepse ndërhyrja është shumë brutale. Por përveç Turdiut, me karton të zi dhe jo të kuq duhej të kishte dalë Caca në këtë takim për ndërhyrjet shumë të rënda ndaj Vajushit. Pa lënë mënjanë edhe shumë faulle të tjera. Gjërat kanë qenë të qëllimshme dhe kjo u pa qartë edhe me disa veprime të organizatorëve të ndeshjes.
Po flasim vetëm për gjyqtarët. A ka faj skuadra për këtë humbje?
Sigurisht që ka dhe madje fajet e saj janë të mëdha. Skuadra ka ende probleme, sepse nuk po shfaqet ashtu siç duhet në lojën e saj dhe me përjashtim të 35 minutave në ndeshjen me Teutën, në takimet e tjera loja ka lënë shumë për të dëshiruar. Këto do ti analizojmë me kujdes, por desha të ndalem te gjyqtarët, sepse po e bëjnë të modës ndëshkimin.
E bënë këtë gjë edhe në Kamzë, kur na u mohua një penallti e pastër, që mund të kishte ndryshuar rezultatin, por nuk u ndjemë, sepse ai që na gjykoi është një gjyqtar i ri dhe i papërfolur për korrupsion dhe prandaj nuk dyshuam te vendimi i tij se ishte me dashje. Këtë herë dyshojmë shumë, sepse këto gabime u bënë nga gjyqtarë që njihen si nga më të korruptuarit në futbollin shqiptar.
Ndeshjet në transfertë, shqetësim për kuqeblutë
Dy transferta këtë sezon, dy humbje dhe e njëjta histori për Vllazninë. Është e njëjta histori në të dy ndeshjet. Sukaj & Co shpërdorojnë raste në fillim dhe pastaj e pësojnë. Kur duhet të reagojnë, nuk ka asnjë kthesë dhe, për rrjedhojë, vijnë humbjet.
Pardje, pavarësisht se kundërshtari mbeti me 10 vetë, kuqeblutë kanë qenë të pafuqishëm për të bërë diferencën në fushë. Thuhet e diskutohet se disa nga titullarët e kësaj skuadre nuk janë në formën e duhur. Po ashtu, skuadra nuk luan me atë dëshirën e duhur dhe ende nuk ka nxjerrë një 90-minutësh të plotë ashtu siç duhet.
