E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tevez kthehet pas dy javësh

Roberto Mancini ka konfirmuar se Carlos Tevez është rikthyer në ekipin e Manchester Cityt dhe se mund të zbresë në fushë sa më shpejt që është e mundur, ndoshta pas dy javësh.

Menaxheri i Cityt ka treguar se e ka lexuar kërkim-faljen e sulmuesit argjentinas dhe se takimi në mes të dyve ka ndodhur të enjten, me ç’rast trajneri italian e ka falur sulmuesin problematik për veprimet e pamatura që i kishte bërë në muajt e fundit.

“E kam lexuar se çka ka thënë Carlos dhe do të bisedoj me të. Unë e kam pranuar kërkim-faljen e tij”, deklaroi Mancini për ESPN, pas fitores 4:0 ndaj Portos në ndeshjen e kthimit të së gjashtëmbëdhjetës së finales së Europa League.

Tevez e kaloi dimrin në vendlindjen e tij në Argjentinë, pasi i kishte prishur punët me Mancinin, por edhe me tërë klubin anglez, kur kishte refuzuar të futej në fushë në ndeshje me Bayern Munichun në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.

“Unë pata thënë se eksperienca e tij në City kishte përfunduar. Por, më pas e thirra një javë pas Munichut në shtëpinë time dhe i thashë: Carlos, kërko falje tek të gjithë dhe çdo gjë do të përfundonte. Unë nuk kam ndonjë problem. Prandaj, ai mund të luajë sërish, por mendoj se i nevojiten 2-3 javë ushtrime”, përfundoi Mancini.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›