Brukseli: S’ka dialog në rrugë, opozita të hyjë në Parlament

Drejtori i Përgjithshëm i Ballkanit Perëndimor në Komisionin Evropian, Pierre Mirel, autoriteti kryesor i Brukselit që monitoron standardet e reformave shqiptare, dënoi dje në Tiranë bojkotin e opozitës, duke theksuar se dialogu s’bëhet dot në rrugë e se mirëkuptimi për kërkesa a protesta të ndryshme arrihet vetëm në parlament. “Bojkotimi i parlamentit vetëm dëmton imazhin e Shqipërisë”, deklaroi prerë komisioneri Mirel, pas takimit me ministrin e jashtëm Ilir Meta
Bojkoti i Opozitës pengon funksionimin e demokracisë. Vazhdimi i bojkotit do të ketë ndikim në Opinionin që do përgatitet nga Komisioni. Lipset që Opozita të jetë në Parlament shumë shpejt. Dialogu politik në Parlament, jo në rrugë, ishin disa prej mesazheve për opozitën shqiptare nga Pierre Mirel, Drejtori i Përgjithshëm i Ballkanit Perëndimor në Komisionin Evropian, të shprehura gjatë një takimi të zhvilluar dje me Ilir Metën, Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
Mesazhet e tij, në vizitën e parë e një zyrtari të lartë të Komisionit Evropian, Mirel i bëri të ditur pas interesimit të gazetarëve, lidhur me qëndrimin e opozitës shqiptare.
“Për sa i përket pyetësorit, të gjitha forcat në Shqipëri duhet të ndihmojnë. Dhe kur themi të gjitha forcat, duhet të kuptojmë edhe Parlamenti. Dhe për këtë arsye, në mënyrë që Parlamenti të ndihmojë, dhe të kontribuojë ashtu siç bëmë edhe me Parlamentin në Malin e Zi, nevojitet apo lipset që opozita të jetë në Parlament”, u shpreh Mirel.
Duke u ndalur më konkretisht te qëndrimet e opozitë shqiptare, Pierre Mirel, Drejtori i Përgjithshëm i Ballkanit Perëndimor në Komisionin Evropian, bëri ët ditur më tej se, “Në një demokraci, debati politik, diskutimet politike mund të bëhen vetëm në Parlament dhe jo në rrugë. Përndryshe do të kemi një ndikim në Opinionin që do të përgatisim ne, dhe për këtë do të shikojmë funksionimin e demokracisë, parlamentin dhe do të shohim nëse ai funksionon. Prandaj, duhet gjendur mënyra që shumë shpejt Opozita të kthehet në Parlament. Pra, unë po inkurajoj që të ketë dialog mes Pozitës dhe Opozitës dhe që të gjendet zgjidhje në mënyrë që opozita të kthehet në parlament për të kontribuar në këtë debat”.
Gjatë takimit, mësohet se, Vendimi i Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, për ti hapur rrugë vendit tonë si vend kandidat, ishte pjesë e bisedës dhe komenteve, ku Meta dhe Marini, vlerësuan se ky është një hap i ri për Shqipërinë në integrimin e saj.
“Kemi shkëmbyer mendime të ndryshme lidhur me momentin e ri në të cilin ndodhet Shqipëria në raport me BE sipas vendimit më të fundit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare që padyshim shënon një moment të ri në raport me BE, i cili përfaqëson një ushtrim tashmë tepër kompleks që nis me pyetësorin që pritet të vijë dhe më pas, me gjithë këtë proces që do të garantojë anëtarësimin e vendit në BE në të ardhmen. E rëndësishme është që ky proces është hapur”, u shpreh Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, duke garantuar vendosmërinë për të rritur të gjitha kapacitetet në mënyrë që procesi të vijojë me një intensitet dhe cilësi sa më të lartë. “Ishte një kënaqësi e madhe për mua që të diskutoja me Zëvendëskryeministrin për këtë hap të ri ku Shqipëria ndodhet tashmë. E kam fjalën pikërisht për kërkesën që është bërë nga Këshilli Evropian për t’i kërkuar Opinionin Komisionit Evropian. Është hapi i parë i procesit të integrimit të Shqipërisë”, u shpreh në deklaratën e tij Mirel.
Drejtori i Përgjithshëm i Ballkanit Perëndimor në Komisionin Evropian, bëri të ditur gjithashtu edhe sfidat që i dalin përpara Shqipërisë, përmbushja dhe përballimi i të cilave do të jenë një shans tepër i madh për vendin që të ecë përpara.
“Sigurisht që në këtë proces, Shqipëria ka për të pasur sfida të mëdha. Së pari kjo sfidë ka për të qenë për përgjigjet që do të jepen për Pyetësorin. Për këtë do të jetë tepër e rëndësishme që të përgatiten të gjitha forcat e mundshme në Shqipëri për të përgatitur këtë Pyetësor. Ashtu sikurse kemi bërë edhe me vendet e tjera të rajonit në të kaluarën, unë kam thënë që ajo që është tepër e rëndësishme, vërtet e rëndësishme në këtë opinion, është se si duhen përmbushur kriteret politike, funksionimi i demokracisë, shteti i së drejtës, që do të thotë gjyqësori, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, liria e medias. Pra, të gjitha këto kushte do të jenë pikërisht ato që do të merren parasysh në masën më të madhe të mundshme për përgatitjen e Opinionit të Komisionit Evropian, ashtu sikurse i kemi parë edhe në të kaluarën. Është një sfidë vërtet e madhe por është edhe një shans tepër i madh për vendin që të ecë përpara”, u shpreh më tej në deklaratën e tij Pierre Mirel, Drejtori i Përgjithshëm i Ballkanit Perëndimor në Komisionin Evropian.