E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi inspekton punimet e autostradës Prishtinë-Pejë

Kryeministri Hashim Thaçi është ndalur në segmentin e kësaj rruge në afërsi të Sllatinës dhe është takuar me udhëheqësit dhe punonjësit e firmave punëkryese. Ata i kanë treguar z. Thaçi për dinamikën e zhvillimit të punimeve dhe janë shprehur të kënaqur me përparimet që janë bërë në këtë segment prej 22 kilometrash të aksit Sllatinë-Orllat-Gjurgjicë.
 
Kryeministri Thaçi me këtë rast ka thënë se është ky një investim kapital nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës. “Janë këto autorrugët që do ta hijeshojnë, modernizojnë dhe do ta bëjnë Kosovën që të gjithë ne të ndihemi mirë për të jetuar në Kosovën tonë, shtet të pavarur, sovran dhe demokratik, në Kosovën moderne, në Kosovën e zhvilluar ekonomikisht ”, ka thënë z, Thaçi, duke shtuar se ky është vetëm një shembull i punës së palodhshme dhe të çmuar, e cila po bëhet.
 
Më tutje kryeministri Thaçi ka thënë se po vazhdojnë punimet nga Prishtina në drejtim të Mitrovicës , nga Prishtina në drejtim të Maqedonisë dhe shumë drejtime të tjera. Pos këtyre punëve tani janë në pyetje vetën ditët kur do të fillojë ndërtimi i autostradës së ëndrrave të qytetarëve të Kosovës , autostradës Morinë-Prizren-Prishtinë. Prandaj ka pohuar kryeministri Thaçi, jemi këtu për të inkurajuar këta njerëz që po punojnë, por edhe për të shprehur përgjegjësinë tonë shtetërore në mënyrë që të vazhdohet me projekte të tilla. Ky është vetëm fillimi i punëve të mëdha, i angazhimeve të mëdha, i implementimit të projekteve të mëdha.

 “Kjo po ndodh për herë të parë në historinë e Kosovës, kjo po ndodh si rezultat i qeverisjes së mirë, i sundimit të ligjit, i përgjegjësisë së lartë shtetërore dhe i vullnetit për ta ndryshuar vendin për të mirë . Pra Kosova po ndryshon dhe ky ndryshim po ndodh pikërisht nga këto punë të përgjegjshme, nga ky vizion i qartë për ndryshimin e përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe aspekteve të tjera”, pohoi kryeministri Hashim Thaçi.
 
Ministri Fatmir Limaj është shprehur shumë i kënaqur me zhvillimin e dinamikës së punimeve në këtë pjesë të rrugës Prishtinë-Pejë.”Sipas dinamikës së paraparë vitin e ardhëm në këtë kohë pritet të përfundojnë punimet në këtë aks rrugor “, theksoi ministri Limaj.        

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›