Thaçi : Referendumi mund të jetë fatal për Maqedoninë
"Termi referendum është term fatal për shtetet multietnike. Nëse përdoret apo aplikohet njëherë termi referendum, bëhet precedent që të gjithë të përfitojnë të drejtën që të bëjnë referendum", theksoi kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi. Lideri i kësaj partie ka komentuar edhe deklaratat e nënkryetarit të BDI-së Rafiz Haliti se Maqedonia do të shkojë në NATO dhe BE me apo pa maqedonasit. "Fatkeqësisht vazhdojnë në pafundësi manipulimet, mashtrimet e BDI-së që sipas tij vetëm blen kohë për karriget e tyre për pushtetin, theksoi Kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi pas një takimi me ambasadorin Shqiptar, Arben Çejku. Ai theksoi se partia e Ali Ahmetit po ngadalëson çështjen shqiptare në Maqedoni dhe po i kontribuon një politike absurde që rrezikon integrimin e vendit në NATO dhe BE. Duke komentuar çështjen e referendumit për emrin ai tha se, ky akt që po përgatitet nga qeveria e Maqedonisë mund të jetë fatal për vetë shtetin. "Shqiptarët mund të bëjnë referendum se nuk pajtohen me këtë status juridiko-kushtetues, shqiptarët mund të bëjnë referendum për autonomi, për federatë dhe për shkëputje dhe të gjithë ata që manipulojnë me këtë term mendoj se anë joserioz, politikan joserioz", theksoi Thaçi. Ndërkaq ambasadori shqiptar në Shkup, Arben Çejku theksoi se Shqipëria është e interesuar që Maqedonia sa më shpejtë të bëhet anëtare e NATO-s dhe BE-së.