E Shtunë, 31 Tetor 2026

AAK: Iniciativa e Vetëvendosjes tendencë e kotë

Drejtues të Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë deklaruar se Prishtinë zyrtare ende nuk ka ndonjë platformë për bisedimet me Beogradin në Bruksel. Kurse marrëveshja e fundit, sipas tyre është duke prodhuar paqartësi dhe ka prek drejtpërdrejt në sovranitetin e vendit.

Anëtari i kryesisë së AAK-së, Besnik Tahiri, të martën pas takimit të përbashkët të Kryesisë dhe Këshillit Drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se në takim kanë diskutuar për procesin e dialogut që është duke ndodhur në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe sipas tyre Prishtina zyrtare është pa platformë të qëndrueshme, të vlefshme dhe me interes për vendin.

“Duke qenë se ne nuk kemi një platformë, ne jemi duke trajtuar temat veq e veq dhe jemi duke marr vendime ‘at hok’, që në raste të caktuara janë duke shkaktuar dame për vendin. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që kur të marrim vendime, apo kur të hymë në marrëveshje me shtetet fqinje, të kemi si bazë Kushtetutën e Kosovës, sovranitetin dhe pavarësinë e vendit. Në këtë aspekt mendojmë se marrëveshja e fundit e ka prek drejtpërdrejt në sovranitetin e vendit“, ka thënë Tahiri.

Tahiri theksoi se kjo marrëveshje nuk ka qenë urgjente për Kosovën, por për Serbinë, e cila ka me këtë marrëveshje ka mundësi të fitojë kandidaturën për anëtarësim në BE.

“Kjo marrëveshje është duke prodhuar paqartësi dhe jo një rregullim të marrëdhënieve mes të Kosovës dhe të Serbisë për temën e caktuar. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është jashtëzakonisht e brengosur, për arsye se nuk po sheh qartë dhe nuk po e sheh me saktësi elementet me të cilat fiton Kosova me këtë marrëveshje”, ka thënë Tahiri.

Kurse, sa i përket mocionit për mos besimin e Qeverisë, Tahiri tha se nuk kanë marr asnjë shkresë dhe krejt këtë debat e dëgjojnë përmes mediave dhe kjo për AAK-në është e habitshme.

“Jemi të habitur sepse nuk kemi marrë diçka me shkrim, një kërkesë e cila do të na tregonte se cilat janë arsyet dhe si do të mund ta zbrapsim këtë situatë. Brenga jonë e madhe është se tani për tani duke e parë realitetin politik, koalicioni aktual i ka votat dhe ne nuk duam ta qesim në vetëbesim Qeverinë dhe Qeveria të rikonfirmohet edhe një herë për arsye se e konsiderojmë ketë tendencë si të kotë”, ka thënë Tahiri.

Megjithatë, ai nuk ka pohuar as mohuar votimin e deputetëve të AAK-së për mocionin e nisur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas, tij në këtë takim është diskutuar edhe për ndryshimet kushtetuese në vend dhe për AAK-në është e rëndësishme që neni 84 të hapet për diskutim, respektivisht për ndryshim, për arsye se ky nen rregullon balansin në mes të forcës ekzekutive dhe presidentit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›