Thaçi: Kriza politike në Maqedoni mund të kalojë në krizë etnike
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi deklaroi se kriza politike do të kalojë në krizë etnike nëse qeveria nuk e ndryshon qasjen e saj ndaj shqiptarëve.Ai kritikoi ashpër Bashkimin Demokratik për Integrim për mosndikimin e saj në qeveri. Sipas tij, partia shqiptare në pushtet nuk ka asnjë ndikim në polici, e cila po ushtron represion dhe po arreston shqiptarët. "Është e qartë se shqiptarët tani nuk kanë faktor politik në qeveri që mund t'i mbrojë, është e qartë se ngadal po hyjmë në një krizë politike e cila më pastaj do të ketë reflekse të krizës etnike", deklaroi kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.Ai edhe njëherë nënvizoi mosfunksionimin e qeverisë dhe dështimin e saj. "I uroj të vazhdojë, gjithçka shkëlqyeshëm po funksionon, nuk kemi ftesë në NATO, nuk kemi datë për bisedime, kemi krizë financiare, gjithçka mirë po funksionon", deklaroi Thaçi, i cili përgënjeshtroi informacionet e plasuara në media se PDSH do të jetë partner i vetëm shqiptar në qeveri pas zgjedhjeve lokale të marsit.