E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdes dramaturgu nobelist, Harold Pinter

Dramaturgu i madh britanik, fitues i Çmimit Nobel për letërsinë në vitin 2005 Harold Pinter, i famshëm për veprat e tij, ndahet nga jeta në moshën 78 vjecare. Pinter vuante nga sëmundja e kancerit. Harold Pinter u vlerësua me Çmimin Nobel në letërsi për veprat e tij, përfshirë këtu "The Birthday Party" si dhe "The Homecoming", që u cilësua nga kritikët si prodhimi më i mirë në këto 50 vitet e fundit. Gruaja e dytë e dramaturgut, Lejdi Antonia Frazer, u shpreh se Printer ishte gjenial. "Ka qenë një privilegj të jetoja me të për 33 vjet. Harold do të mbetet i paharrueshëm", tha ajo. Pinter u lind në zonën e Hakneit të Londrës në vitin 1930 dhe ishte i biri i vetëm i një emigranti hebre. Fëmijëria e tij u ndërpre nga shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore në vitin 1939, kur familja e tij u zhvendos nga Haknei i tij, në zonën rurale të Kornuollit. Në moshën 14 vjecare u rikthye në kryeqytetin britanik, qytet ku i lindi pasioni për veprat e Franc kafkës dhe Ernest Heminguejt. Kur ishte i ri, ai u edukua në shkolla të ndryshme të Hakneit dhe më vonë nisi studimet në Akademinë Mbretërore të Arteve Dramatike në Londër. Harold Pinter shkëlqeu edhe si aktor, skenarist dhe regjizor, por ishin dramat e tij që patën efektin më të madh. Pinter kaloi disa vjet si aktor profesionist para se drama e tij e parë "Birthday Party" të shfaqej në Londër dhe të kritikohej rreptë nga thuajse të gjithë kritikët. Por shfaqja e tij e radhes "Caretaker", për një të pastrehë që pranon një ofertë për strehim të përkohshëm, shënoi sukses të menjëhershëm. Gjatë gjithës së tij, Pinter ishte i angazhuar në shprehjen e pakënaqësisë politike. Si kundërshtar i shërbimit ushtarak, ai u gjobit gjatë Luftës së Ftohtë. Ai gjithashtu ka qenë një kritik i fortë i bombardimeve të NATO-s në Serbi në vitin 1999 dhe i luftës në Irak.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›