E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Në 2012-ën fund pavarësisë së mbikëqyrur

PRISHTINE - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi në një intervistë për Zërin e Amerikës, se viti 2012 do të shënojë përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur dhe se në janar pritet vendimi për këtë çështje.
Shefi i qeverisë së Kosovës tha se ky vendim varet nga zbatimi i plotë i planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari.

“Kosova vitin 2011 e filloi me vështirësi dhe sfida jo të lehta, por e përmbylli me një sukses të plotë. Sot Kosova është vend i konsoliduar, po fuqizohet çdo ditë, kemi fituar njohje nga 85 shtete, jemi anëtarësuar në Bankën Botërore dhe FMN, përmbyllja e këtij vitit solli edhe agjendën konkrete, evropiane, unike për Republikën e Kosovës, dialogun për liberalizimin e vizave, marrëdhënieve kontraktuale dhe tregtare me BE-në dhe anëtarësimin e shpejtë në Bankën për Zhvillim dhe Rindërtim. Pra, vitit 2011 ishte viti i konsolidimit të shtetit, ishte viti i Kosovës evropiane.”- deklaroi kryeministri i Kosovës.

Kryeministri kosovar nënvizoi se më 25 korrik institucionet e vendit thyen tabunë e mos hapjes së temës së veriut për 12 vite të tëra, duke ndalur kontrabandën dhe krimin e organizuar.

“Ballafaqohemi ende me vështirësi të strukturave ilegale dhe kriminale, me mungesë të lëvizjes së lirë. Është i vetmi vend që ende nuk ka organizim të zgjedhjeve të lira, pra e vetmja pjesë e Kosovës por edhe në gjithë Evropën. Pas 25 korrikut, e gjithë bota demokratike është e fokusuar në zgjidhjen e problemit të asaj situate të krijuar për 12 vite të tëra të jo ligjshmërisë dhe tani të gjithë janë të fokusuar për rend dhe ligj, për demokraci, për zgjedhje të lira, për lëvizje të lirë, pra që të shtrihet autoriteti kushtetues dhe ligjor i Kosovës në përputhshmëri me dokumentin e presidentit (Martti) Ahtisaari në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Gjendja e mëparshme nuk do të rikthehet. Do të ketë lëvizje përpara. Ne do të vazhdojmë të jemi shumë të përgjegjshëm në përkushtimet tona koordinuese edhe me autoritete e EULEX-it edhe të NATO-s, të SHBA-së dhe BE-së.”- vijoi më tej Thaçi.

Ndër të tjera kryeministri Thaçi theksoi se ndryshimi i kufijve është i pamundur që të ndodhë dhe se “25 korriku e ka shuar njëherë e përgjithmonë ëndrrën e Beogradit dhe projektin për ndryshimin e kufijve për ndarjen e Kosovës.”

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›