E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati i Popullit, ndërkombëtarët përshëndesin emërimin e Totozanit

TIRANË- Ndërkombëtarët kanë vlerësuar votimin me konsesus sot në Kuvend të Igli Totozanit në postin e Avokatit të Popullit. Në një deklaratë të Komisionerit Stefan Fyle, ndërsa shprehet vlerësimi për konsesusin e arritur.

“Plotësimi i këtij pozicioni do ndihmojë në forcimin e një institucioni të pavarur, i cili luan një rol themelor në ruajtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë. Mënyra si u finalizua ky emërim përbën një hap të rëndësishëm në konsolidimin e dialogut ndërmjet shumicës qeverisëse dhe opozitës”,- thuhet në deklaratën e Komisionerit Fyle.

Ky zhvillim i rëndësishëm sipas komisionierit Fyle shtron rrugën për përmbushjen e njërit prej 12 prioriteteve kyç të identifikuar nga Komisioni Evropian në Opinionin për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Edhe kreu i prezëncës së OSB në Tirane Eugen Wollfarth, mirëpriti zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit nga Kuvendi i Shqipërisë.
“Është për t’u përgëzuar që shumica qeverisëse dhe opozita arritën një kompromis për këtë emërim të rëndësishëm. Votim konsensual i sotëm tregon se si dialogu mes dy blloqeve kryesore politike mund të japë rezultate në dobi të popullit të Shqipërisë”,- thekson neë deklaraten e tij zoti Wolfarth.

Zgjedhjen konsesuale të Avokatit të Popullit, e përshëndeti edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ettore Sequi, i cili përgëzoi me këtë rast Kuvendin e Shqipërisë dhe forcat politike.

Emërimi i Avokatit të ri, nënvizoi Sequi, shënon përfundimin e një procesi të rëndësishëm me plotësimin e një funksioni shtetëror, i cili zë një vend qendror në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.
“Vlerësoj gatishmërinë e qeverisë për të votuar kandidatin e propozuar nga opozita. Mënyra më të cilën u arrit është një hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të cilësisë së re të dialogut mes forcave politike shqiptare”, deklaroi ambasadori i BE, në Tiranë.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›