E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Serbët në Kosovë më shumë të drejta se shqiptarët në Maqedoni

PRISHTINE - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se 3 për qind e serbëve që jetojnë në Kosovë kanë më shumë të drejta se 35 për qind e shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni.

“Ne vazhdimisht theksojmë që shqiptarët të jenë pjesë e institucioneve dhe të jetës demokratike në Maqedoni. Dua të theksoj se 3 për qind e serbëve që jetojnë në Kosovë kanë më shumë të drejta se 35 për qind e shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni”, - ka theksuar kryeministri Thaçi në intervistën për Radion Kombëtare Bullgare BNR, gjatë kohës së vizitës së tij të fundit në Sofje.

Kjo deklaratë e kryeministrit nënvizon se shqiptarët në Maqedoni janë 35 për qind dhe jo sipas regjistrimit zyrtar 25,6 për qind. Sipas Thaçit, njw nw 3 qytetarë në Maqedoni është shqiptar.

“Në Maqedoni regjistrimi i fundit i popullsisë ishte pa sukses dhe se opinioni nuk e di shifrën e saktë të popullsisë sipas përkatësisë etnike. Por dua të them se çdo i treti qytetarë është shqiptarë”, ka theksuar Thaçi.

Kryeministri i Kosovws ka theksuar edhe nevojën e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit.

“Në këtë drejtim vlerësoj se liderët shqiptarë dhe autoritetet shtetërore në Shkup duhet të bisedojnë dhe të zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Kjo deklaratë e tij gjatë fundjavës është komentuar nga një pjesë e mediave maqedonase, edhe pse vizita e Thaçit në Sofje ishte zhvilluar dy muaj më parë.

(er.nu/ina/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›