Ramushi u prit si një hero

Ramush Haradinaj i shoqëruar nga Hashim Thaçi u janë drejtuar me nga një fjalë rasti edhe mediave, me ç’rast, ditën e sotme e kanë vlerësuar si shumë të rëndësishme për mbarë kombin shqiptar.
Haradinaj me këtë rast është zotuar se do të vazhdojë të punojë dhe kontribuojë ende për Kosovën.
“Unë kam jetuar me ju me vendin, jam gëzuar për të arriturat, për fitoret. Jemi mërzitur për vështirësitë, për sfidat. Por sot jam i gëzuar që edhe drejtësia ndërkombëtare e ka konfirmuar se rruga jonë për liri ka qenë e pastër dhe e drejtë. Dhe po ashtu edhe rruga para nesh do të jetë e mirë dhe do t’i kalojmë së bashku sfidat që na presin. Unë ju siguroj që do të punoj me gjithë ju, në mënyrë që të zhvillojmë vendin, të ecim para sfidave dhe të punojmë së bashku”, ka thënë ai.
Kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se lajmi për lirimin e Haradinajt me bashkëluftëtarët e tij rikonfirmon edhe një herë luftën e drejtë dhe të pastër të UÇK-së.
“Sot përsëri u rikonfirmua besimi ynë në drejtësi, respektimi i parimeve dhe standardeve ndërkombëtare, u vlerësua durimi i z. Haradinaj, drejtësia e tij dhe bashkëluftëtarëve të tij. Sot është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët dhe mund të them se pafajësia e e Haradinajt dhe të gjithë bashkëluftëtarëve është plotësim i të gjithë asaj feste madhështore që kishim për 28 Nëntorin”, ka thënë ai.
Ndërsa edhe qytetarë të shumtë nga mbarë Kosova kanë marshuar drejt Aeroportit të Prishtinës, te cilët me këngë dhe valle kanë shprehur gëzimin e tyre për lirimin e Ramush Haradinajt, Lahi Brahimajt dhe Idriz Balajt.
Pas përshëndetjes me anëtarët e AAK-së dhe qytetarët e shumtë, Haradinaj ka vizituar edhe familjen e tij në lagjen e “Arbërisë”.
Ndryshe, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës i shpalli të pafajshëm nga të gjitha akuzat të tre të lartpërmendurit. Kjo është përshëndetur nga Prishtina zyrtare, duke e quajtur si një fitore për luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), derisa në Beograd kjo është cilësuar si një shuplakë e dytë për Serbinë, pas vendimit të pak ditëve më parë të po kësaj gjykate për lirimin e dy gjeneralëve kroatë./kosovapress/
Haradinaj: Do të punoj shumë për Kosovën
Ramush Haradinaj ka qenë shumë i shkurt në fjalimin e tij që e ka mbajtur para mijëra njerëzve në Sheshin Ibrahim Rugova.
Ai pasi ka shprehur rrugën e tij të gjatë dhe triumfin në Gjykatën e Hagës ka thënë se tani e tutje ai do t’i hyjë punës për të bërë Kosovën një vend sa më të bukur për qytetarët e saj.
“Ajo që mund të ju siguroj unë është që do të punoj. Do të punoj për një qeverisje më të mirë dhe për ta quar këtë vend përpara”, ka thënë Haradinaj.
Kujtojmë se sot në ora 9:57, Gjykata ndërkombëtarë e Drejtësisë në Hagë dha verdiktin e pafajësisë për Ramush Haradinaj, Idriz Balaj dhe Lah Brahimaj.
Në orën 17:30, Haradinaj arriti në Kosovë ku konsideroj se fitorja është një fitore e përbashkët e drejtësisë.
Ai tregoj edhe për gëzimet që ka ndier si në për të mirë si për të keq për Kosovën.
Pritja e Haradinajt në Kosovë u organizua nga Zyra e Kryeministrit Hashim Thaçi, i cili e mirëpriti dhe e uroi Haradinaj duke i dëshiruar atij mirëseardhje në jetën politike dhe reprezentative të Kosovës.
Pas fjalimit në Sheshin Ibrahim Rugova të Haradinaj ,do të mbahet edhe një koncert në shenjë mirëseardhje për të ku janë mbledhur mijëra qytetar prishtinas për t’i uruar mirëseardhje liderit të Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, ish kryeministrit dhe ish komandantit të UÇK-së për Zonën Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj.
Konferenca e përbashkët e kryeministrit Thaçi dhe Ramush Haradinaj
Haradinaj: Është fitore e përbashkët e drejtësisë
Ish kryeministri i Kosovës, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish – komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rajonin e Dukagjinit Ramush Haradinaj, ka arritur në aeroportin e Prishtinës ku pasi është pritur me nderime të larta shtetërore ka thënë se ndihet i nderuar nga pritja që i ishte bërë.
Atë në aeroport e ka pritur kryeministri Hashim Thaçi i cili ka thënë se sot Kosova tregoi se ka bërë një luftë të pastër dhe se drejtësia triumfoi.
“Dje ishte një festë madhështore për 100 – vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë ndërkaq sot është edhe një festë tjetër. Sot, pas një rrugë të gjatë unë ju dëshiroj mirëseardhje në jetën tuaj politike, reprezentative, etj”, tha kryeministri Thaçi.
Kryeministri po ashtu ka përshëndetur edhe familjen Haradinaj.
“Edhe pse në një proces të gjatë kam jetuar me ju me vendin. Jam gëzuar për të arriturat. Jemi merzit për vështirësitë për sfidat. Jam i gëzuar se edhe drejtësia ndërkombëtare e ka kuptu se rruga e jonë për liri ka qenë e drejtë. Unë po ashtu dëshiroj që t’ju siguroj se do të punoj s’bashku me ju që të tejkalojmë edhe sfida të tjera, po ashtu së bashku”, tha në fjalën e rastit Haradinaj, fjalimi i të cilit ishte një fjalim shumë emocional para medieve.
Mbërritja në aeroport
Ramush Haradinaj arrin në Prishtinë
Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka arritur në Prishtinë.
Atë në aeroportin e Prishtinës ka ardhur për ta pritur Garda e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e shoqja e tij Anita Haradinaj dhe kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi.
Siç është paralajmëruar edhe me herët, pritja e ish kryeministrit Haradinaj në Prishtinë po organizohet nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit Thaçi.
Qytetarët në pritje të Ramushit
Ramushi flet si Kryeministër
Ramush Haradinaj u është drejtuar kosovarëve përmes një deklarate të avokatit të tij, Ben Emmerson.
Aty ai falënderon popullin e Kosovës dhe bashkësinë ndërkombëtare që kanë qëndruar me të gjatë këtij procesi.
Ndër të tjera, avokati i Haradinajt duke përcjell porosinë e klientit të tij, ka thënë se pas kthimit në Kosovë, me pajtimin e popullit, kreu i AAK’së do të marrë pozitën e liderit politik të vendit.
“Ai më ka lutur të tregoj se do të kthehet këtë mbrëmje në Kosovë dhe me pajtimin e njerëzve, shumë shpejt do ta marrë pozitën që i takon si lider politik i vendit, duke udhëhequr Qeverinë që përfaqëson të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht gjuhës që ata flasin dhe pavarësisht se prej nga vijnë”, thuhet në deklaratën e avokatit Ben Emmerson.
“Ai (Haradinaj) më ka lutur të them se si lider i Kosovës së lirë do ta luftojë korrupsionin kudo që gjendet dhe se më të do të merret fuqishëm”, shtoi Emmerson.
Ramushi kthehet në Kosovë në ora 18:00, pritet me protokoll shtetëror
Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj do te priten me protokoll shtetëror në Prishtinë, rreth orës 18:00.
Këtë e ka konfirmuar për Express zyrtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.
Për kthimin e Haradinajt në Kosovë do të përkujdeset Protokolli shtetëror nën patronatin e Kryeministrit Hahim Thaçi.
Haradinaj, Balaj dhe Brahimaj janë të pafajshëm
Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ka shpallur te pafajshëm Ramush Haradinajn, Lahi Brahimajn dhe Idriz Balajn dhe ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm te tyre.
Vendimi i rigjykimit të pjesshëm që zhvillohej me akuzën për “vrasje, torturë dhe trajtim mizor, si krime që bien ndesh me ligjet dhe zakonet e luftës” u lexua nga gjykatësi i rastit, Bakone Justice Moloto.
“Ramush Haradinaj, gjykata ju shpallë të pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës, gjykata thotë që do të liroheni posa të kryhen të gjitha formalitetet procedurale. Lah Brahimaj liroheni për të gjitha pikat e akuzës të ngritura ndaj jush. Idriz Bala liroheni nga të gjitha pikat e aktakuzës”, tha ai.
Fillon gjykimi i Haradinajt
Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ka filluar seancën përmbledhëse ku pritet të shpall vendimin përfundimtar në rastin kundër ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj.
Të tre ata janë rigjykuar pjesërisht nën akuzën për “trajtim mizor, torturim dhe vrasje të të burgosurve” në atë që quhej kampi ushtarak i Jabllanicës, më 1998”.
Në vitin 2008, Haradinaj dhe Balaj janë liruar nga të gjitha akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa i akuzuari i tretë, Brahimaj, është dënuar me gjashtë vjet heqje lirie për “trajtim mizor dhe torturim” të të burgosurve të UÇK-së.
Rigjykimi, që ka nisur më shumë se dy vjet më parë, ka ardhur si kërkesë e prokurorisë së Tribunalit të Hagës për t’i dëgjuar dëshmitë shtesë të dy dëshmitarëve “të rëndësishëm”.
Sot, aktgjykimi
Beteja shtatëvjeçare e Ramush Haradinajt me akuzat për krime lufte, përfundon sot. Ai do të paraqitet në orën 9:00 në sallën e Tribunalit të Hagës për të dëgjuar aktgjykimin përfundimtar. Në Kosovë presin lirimin, ndërsa në Serbi dënimin e tij.
Ramush Haradinaj do të përmbyllë të enjten betejën shtatëvjeçare me akuzat për krime lufte, të ngritura nga Tribunali i Hagës. Vendimi për të do të publikohet në orën nëntë të mëngjesit.
Partia e Haradinajt ka përgatitur nga një projektor në qendër të Prishtinës, Pejës e Deçanit për të përcjellë drejtpërdrejt kumtimin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi për ish-Komandantin e UÇK’së.
Ish-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj për herë të parë ishte akuzuar nga Haga, në vitin 2005, kur kishte mbushur njëqind ditë në krye të Qeverisë.
Ai ishte shpallur i pafajshëm më 3 prill të vitit 2008, por pas ankesës së Prokurorisë së Hagës, ishte vendosur për rigjykim të pjesshëm të tij. Vendimi i dytë kundër Haradinajt ishte marrë në korrik të vitit 2010.
Sipas avokatëve të Haradinajt, faktet e paraqitura gjatë procesit të dytë nga Prokuroria nuk kanë dëshmuar asnjë prej akuzave që e kanë rënduar Liderin e AAK’së.
Në prag të vendimit për Haradinajn përsëri kanë folur serbët.
Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksander Vucic ka deklaruar se po frikësohet se Haga do ta lirojë Ramush Haradinajn.
“Frikohem që aktgjykimi do të jetë lirues dhe se ky do të jetë edhe një poshtërim për ne dhe do të shkaktonte probleme shtesë të gjithë atyre që janë të përgjegjshëm dhe të mirë kuptueshëm në skenën politike. Ky është problem për ata që shikojnë kah e ardhmja, por jo për ata që dëshirojnë ta rindezin zjarrin”, ka thënë Vucic.
Zyrtarët serbë kanë folur edhe më herët për mundësinë që Haradinaj të lirohet.
Megjithëkëtë, në Kosovë deklaratat e zyrtarëve serbë janë komentuar si tendencë për të ndikuar në vendimet e Hagës.
“Tendenca e Serbisë, që të ketë vendim politik për dënimin e z. Haradinaj, paraqet një shkelje të rëndë të besimit që ekziston në botë për drejtësinë ndërkombëtare. Deklarata të tilla të zyrtarëve serbë janë skandaloze. Ne si AAK, pavarësisht asaj që vazhdimisht kemi besuar në pafajësinë e z. Haradinaj, gjithmonë kemi besuar se fajësia apo pafajësia duhet të dëshmohet në sallat e Tribunalit të Hagës dhe kemi besuar në proces fer dhe korrekt të Gjykatës Ndërkombëtare”, kishte thënë Avni Arifi, zyrtar i AAK’së.
Ramush Haradinaj ka qenë Kryeministër i Kosovës në koalicionin LDK-AAK, i lidhur në vitin 2004, por pas njëqind ditësh kishte dhënë dorëheqje për t’u përballur me akuzat e Hagës.
Haradinaj përballet me akuza për krime lufte prej marsit të vitit 2005, ndërsa partinë e tij vazhdojnë ta udhëheqin Nënkryetarët Blerim Shala, Ardian Gjini e Ahmet Isufi.
Zyrtarët e AAK’së në vazhdimësi kanë thënë se Haradinaj është i pafajshëm dhe besojnë se edhe vendimi që do të merret në fund të këtij muaji do të jetë në favor të ish-Kryeministrit.
Kohët e fundit, zyrtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës janë afruar me PDK’në, duke përkrahur vendimet e Qeverisë. Madje, udhëheqësi aktual i Aleancës, Nënkryetari Blerim Shala është emëruar koordinator politik i dialogut me Serbinë.
Me lirimin eventual të Haradinajt, do të sqarohet edhe pozicioni i AAK’së në raport me PDK’në dhe Qeverinë.