E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi në mbrojtje të Kosovo 2.0

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka dënuar sulmet e disa grupeve ekstremiste në mbrëmjen e së premtes në lansimin e publikimit të gazetës Kosovo 2.0, e që kanë rrezikuar rendin publik dhe të drejtat e shprehjes dhe lëvizjes së lirë dhe lirive të mediave.

Në reagimin e kryeministrit thuhet se dhuna dhe kërcënimet e shprehura nga këto grupe të premten në mbrëmje, por edhe gjatë ditëve në vijim ndaj organizatorëve të lansimit të këtij publikimi dhe ndaj stafit redaktues të revistës, janë të papranueshme dhe nuk kanë vend në një shtet modern dhe demokratik.

“Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës sigurojnë se çdo qytetar i Republikës së Kosovës ka të drejtën e lirisë së shprehjes, dhe gjithashtu sigurojnë që asnjë qytetar të mos diskriminohet në baza etnike, gjinore, fetare, apo të orientimit seksual. Qeveria e Republikës së Kosovës është e dedikuar të respektoj të drejtat dhe liritë njerëzore, politike, dhe fetare, duke respektuar dhe mbrojtur të gjitha kategoritë kushtetuese nga diskriminimi si obligim ligjor dhe si drejtim parimor i të gjitha institucioneve dhe spektrit politik që përkrah agjendën e Integrimeve Evropiane” thuhet në reagimin e kryeministrit.

Qeveria e Republikës së Kosovës kërkon nga institucionet e rendit dhe ligjit që të gjinden autorët e këtyre sulmeve të dhunshme dhe të vihen para drejtësisë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›