Thaçi në presion për ristrukturimin e Qeverisë

Ristrukturimi i Qverisë së Kosovës kohët e fundit gjithnjë e më shumë po aktualizohet, qoftë indirekt, qoftë drejtpërdrejt nga zyrtarët e afërm me kryeministrin Thaçi. E fundit që e riaktualizoi nevojën për ristrukturimin e qeverisë ishte ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku, e cila të martën në emisionin Rubikon të KTV-së tha se Qeveria ka nevojë për një ristrukturim të ndjeshëm, substancial dhe jo vetëm për ndryshime kozmetike. Ajo ishte edhe më e drejtpërdrejt duke thënë se ministrat postet nuk i kanë me tapi. Çitaku, ç’është e vërteta edhe më herët në disa raste ka kërkuar freskimin e Qeverisë, duke e shtruar këtë kërkesë pak a shumë me të njëjtin leksik. Burime nga kabineti qeveritar, që kanë preferuar anonimitetin, kanë theksuar për Koha. net se ka kohë që kryeministri me të besueshmit e vet në disa raste ka shqyrtuar ristrukturimin e Qeverisë, herë si kërkesë, herë si imperativ e herë-herë për shkak të “presionit”, në radhë të parë nga dështimet e objektivave në shumë dikastere qeveritare.
Thaçi e di cili ministër tashmë është verifikuar dhe konfirmuar jo vetëm nga ai si dështak, cili ministër më shumë ka shkaktuar telashe me pazotësinë e tij dhe ngarendjen për të përfituar sa më shumë nga posti ministror, cili minsitër ka prirje dhe afinitet për korrupsion, problem ky që po e paguan shtrenjtë Kosova brenda dhe jashtë, cili ministër ka dëshmuar nepotizëm të paripartueshëm, cili ministër ka shprehi të sëmurë për të shpenzuar paranë publike...
Sipas këtyre burimeve, Thaçi nuk mund të arsyetohet se ristrukturimi i Qeverisë po shtyhet për shkak të angazhimeve të tij në dialogun me Beogradin, i cili realisht ishte i gjatë, i lodhshëm dhe i ngarkuar. Prandaj, sipas këtyre burimeve, nuk ka më arsye për neglizhimin e këtij problemi madhor.
Sipas këtyre burimeve, çdo shtyrje e mëtejshme e ripërtritjes së kabinetit qeveritar do t’i kthehet bumerang Thaçit para zgjedhjeve të pritshme lokale dhe atyre të përgjithshme, me humbjen e përkahësve të tij, të cilët kanë pritur dhe akoma presin se ai do t’i realizojë premtimet jo vetëm elektorale.
Një ndër premtimet qenësore të tij gjithsesi ka qenë qeverisja efikase, me njerëz të zotë, të devotshëm dhe të pa korruptuar.