Tahiri hap nëndegë në fshatin e Isa Mustafës

Dega e AAK-së për Prishtinën ka hapur nëndegën e saj në fshatin e Isa Mustafës. Zyra e kandidatit të AAK-së Besnik Tahiri ka njoftuar se në kuadër të zgjerimit të strukturës së Aleancës për Prishtinën, sot, u themelua nëndega e Prapashticës dhe Keqekollës. Sipas komunikatës, këto aktivitete janë në funksion të konsolidimit dhe organizimit të AAK-së në Prishtinë. Në këtë takim ishin të pranishëm kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, nënkryetari Ahmet Isufi, kryetari i Aleancës për Prishtinën, Besnik Tahiri dhe struktura të tjera drejtuese të AAK-së.
“Kryetari i AAK-së, z. Ramush Haradinaj duke folur para banorëve të Malësisë së Gollakut theksoi se Aleanca për Prishtinën po vazhdon me fuqizimin e strukturave të veta duke themeluar nëndegën e Prapashticës dhe Keqekollës si dhe po punon në lidhjen e subjektit me banorët e këtyre fshatrave. Tutje, ai theksoi se “në një takim pune si ky është tepër me rëndësi të prezantojmë platformën tonë të qartë që është në funksion të zhvillimit të kësaj treve që historikisht ka qenë pjesë e proceseve të rëndësishme historike për vendit tonë”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq Tahiri ka folur për fitore në Prishtinë. “Zgjerimi i strukturës dhe forcimi i AAK-së në Prishtinë është në funksion të plotë të konsolidimit dhe fitores së AAK-së në Prishtinë si dhe ndërtimit të një vizoni të qartë për zhvillimin e Gollakut. Rajoni i Gollakut ka kapacitete të larta për zhvillimin e blegtorisë, bujqësisë dhe pemëtarisë, sektorë këto që do të mundë të krijonin vende të reja pune dhe rikthim të popullatës në këtë rajon”, ka thënë ai./Indeksonline/