Nishani: “Qeveria trefishoi grantin për pushtetin vendor”
Tiranë - Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, deklaroi dje në analizën e Prefekturës së Qarkut Tiranë se qeveria mbështet çdo projekt e nismë të organizmave të qeverisjes vendore për trajtimin e mbeturinave. Në fjalën e tij, ministri Nishani vuri në dukje se “nga 7.3 miliardë lekë në vitin 2005, granti për pushtetin vendor në vitin 2008 është pothuaj trefishuar, duke shkuar në 20 miliardë lekë, ku vetëm për Qarkun e Tiranës janë financuar 52 projekte”. Ministri Nishani shprehu vendosmërinë e qeverisë për të realizuar një poçes real dhe konkret bashkëpunimi për vënien në dispozicion të pushtetit vendor të të gjitha resurseve të nevojshme teknike e financiare për t’i vënë ato në shërbim të qytetarëve. Në fjalën e tij ministri Nishani e vuri theksin edhe në dy çështje kryesore që ishin trajtimi e përpunimi i mbeturinave, si dhe procesi i legalizimit të zonave informale. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, deklaroi se qeveria mbështet çdo projekt e nismë të organizmave të qeverisjes vendore për trajtimin e mbeturinave, ndërkohë kërkoi bashkëpunimin e njësive vendore, bashki e komuna, për të përshpejtuar dhe jetësuar procesin e legalizimeve, një proces ku qytetarët presin kontributin si të pushtetit qendror dhe të pushtetit vendor.
9 Shkurt 2008