E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet Lulo, vrasësi i 23-vjeçares File Omeri

Theodhor Lulo shkoi në Greqi pas vrasjes, ku kishte familjen. Gjykata e Librazhdit kishte dhënë për 49-vjeçarin “arrest me burg”
Tiranë - I kërkuari për vrasje dje është sjellë nga Athina në Tiranë dhe iu është dorëzuar autoriteteve zyrtare të Burgjeve. Zyra Kombëtare e Interpol Tiranës ekstradoi nga Athina, Greqi, shtetasin në kërkim për “vrasje me paramendim”, Theodhor (Gazi) Lulo, 49 vjeç, nga Pogradeci, bëri të ditur dje Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Dënimi
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Librazhd, më datë 24.11.2006 ka caktuar ndaj 49-vjeçarit Lulo masën e sigurimit “arrest me burg”, për veprën e mësipërme penale. Sipas vendimit të gjykatës, shtetasi Theodhor Lulo dyshohet se është autor i vrasjes së shtetases File Omeri, më 21 nëntor të vitit 2006 në fshatin Vehçan të Librazhdit, ngjarje e ndodhur në kohën kur viktima File Omeri, së bashku me kunatën e saj Klodiana Omeri, ishin duke udhëtuar me automjetin tip “Ford” nga qyteti i Përrenjasit drejt fshatit Menik. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, e cila u referohet të dhënave hetimore për këtë vrasje, Lulo, i maskuar dhe me automatik M-56, ka qëlluar me armë në drejtim të shtetases File Omeri, e cila ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Hetimi
Sipas materialeve të akuzës, Theodhor Lulo është nisur nga Follorina së bashku me gruan e tij në datën 21 nëntor 2006 (ditën e vrasjes). Ai ka kaluar pa dokumente në doganën e Kapshticës, por kjo është e filmuar nga kamerat e sigurisë. Po kështu, në kthim bashkëshortja e Lulos ka kaluar e vetme me dokumente duke vulosur pasaportën. Lulo ka kaluar pak më vonë dhe sërish është filmuar nga kamerat. Nga hetimet e prokurorisë është vërtetuar se Gëzim Lulo ishte mik shtëpie në familjen Omeri dhe ai kishte shkuar tek ta disa herë për vizitë. Madje ai ishte takuar disa herë me Filen dhe kunatën e saj, Klodiana Omeri dhe kishte tentuar që t’i mashtronte për t’i trafikuar në Greqi. Refuzimi i vajzave nuk është pritur mirë nga Lulo, por ky i fundit nuk ka dhënë ndonjë shenjë se do të kryente veprimin makabër. Mbrëmjen e 22 nëntorit të vitit të kaluar dy kunatat, File Omeri, 23 vjeçe dhe Klodiana Omeri, 25 vjeçe, kanë qenë duke udhëtuar me autoveturën e Files, tip “BMW” me targa LB 2090 A. Në afërsi të fshatit Stroskë ato janë përballur me disa gurë të vendosur në rrugë. Filja ka zbritur për të larguar gurët, por në këtë moment një person i maskuar ka dalë nga shkurret, duke i drejtuar tytën e automatikut. Një breshëri arme ka bërë që 23-vjeçarja të përfundojë në tokë, ndërsa kunata e saj Klodiana ka dalë me shpejtësi nga makina dhe ka tentuar ta ndalë vrasësin, duke i hequr maskën. Megjithëse ai kishte hequr mustaqet, 25-vjeçarja ka arritur ta njohë Theodhori Lulon. Kaq ka mjaftuar që autori ta godiste edhe atë me qytën e automatikut për ta lënë pa ndjenja. Më pas vrasësi ka vënë trupin e Files në timon dhe kunatën e saj Klodianën në sedijen përbri dhe shtyu dhe hodhi në greminë autoveturën.

9 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›