Thaçi: 11 shatori, sulm kundër botës demokratike

Me rastin e 10 vjetorit të sulmeve terroriste ndaj SHBA-ve, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dërguar një mesazh ku thuhet se sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 ishin ndër ngjarjet më tragjike që goditën popullin amerikan dhe mbarë botën demokratike.
“Sulmet e 11 shtatorit e rikonfirmuan shpirtin e madh të kombit amerikan, që di t`i përballojë tragjeditë”, thuhet në mesazhin e kryeministrit Thaçi.
“Sot, pas dhjetë vjetësh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po dalin gjithnjë e më të fuqishme përballë forcave të organizuara terroriste, duke dëshmuar epërsinë e pakrahasuar të vlerave të demokracisë e të lirisë, duke përmbysur regjime diktatoriale, duke rritur hapësirën gjeografike dhe politike të shoqërive demokratike. Dhjetë vjet më parë qytetarët dhe institucionet e Kosovës u solidarizuan me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke përjetuar rëndë sulmet terroriste mbi një vend mik, që kishte dhënë kontribut thelbësor në çlirimin e vendit tonë. Qytetarët e Kosovës gjithmonë u janë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndihmesën e dhënë në rrugën e lirisë dhe të ndërtimit të demokracisë së shtetit tonë të ri”, ka thënë Thaçi.