E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: 2012-ta, vit i sukseseve historike për Kosovën

Prioritetet kryesore për vitin 2012, mbetet lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar , perspektiva konkrete apo implementimi i agjendës evropiane, përmbyllja e plotë e suksesshme e pavarësisë së mbikëqyrur, si dhe rritja e zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies sociale të qytetarëve të Kosovës.

Kështu deklaroi sot në hapjen e parë të mbledhjes së Qeverisë për këtë vit, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, me ç’rast paraqiti 5 objektivat kryesore të planit të punës së Qeverisë së Kosovës për vitin që sapo kemi hyrë.

Sipas tij, puna që do të bëhet brenda një viti do të tregojë se pas vitit 2008 edhe 2012-ta do të jetë një vit i sukseseve historike për Kosovën, pasi do tw realizohen tw gjitha planet e hartuara.

“Draft plani vjetor i punës së Qeverisë për vitin 2012, përmban prioritetet e Qeverisë, që janë pjesë e programit të Qeverisë 2011-2014, si kornizës afatmesme e shpenzimeve 2012-2014 dhe programi për zhvillimin ekonomik, prioritete të orientuara drejt një zhvillimi të qëndrueshëm, social dhe institucional të Republikës së Kosovës, mandej përkrahje e qëndrueshme e zhvillimit ekonomik, qeverisje e mirë dhe fuqizimi i sundimit të ligjit, zhvillimi i kapacitetit të kapitalit njerëzor dhe rritje e mirëqenies sociale, janë prioritete strategjike të përcaktuara nga Qeveria e Kosovës për vitin 2012”, ka thënë ai.

Plani i punës së Qeverisë, objektivat dhe aktivitetet, sipas Thaçit janë në harmoni edhe me buxhetin. Prioritetet kryesore për vitin 2012, sipas kryeministrit Thaçi do të vazhdojnë të mbeten lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mandej perspektiva konkrete apo implementimi i agjendës evropiane, që ndërlidhet drejtpërdrejte me rend dhe ligj, përmbyllja e plotë e suksesshme e pavarësisë së mbikëqyrur, si dhe rritja e zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies sociale të qytetarëve të Kosovës.

Thaçi po ashtu në emër të Qeverisë përshëndeti edhe iniciativën e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, për formimin e këshillit anti-korrupsion, ndërsa shprehu zotimin Qeverisë për të vazhduar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të gjitha dukurive negative.

“Vetëm me një gjithëpërfshirje të të gjitha institucioneve do të kemi sukses në betejën për rend dhe ligj. Fitorja në betejën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, nënkupton definitivisht konsolidim dhe forcim të shtetit, përmbyllje e pavarësisë së mbikëqyrur, sukses në integrimet evropiane, rritje të zhvillimit ekonomik, dhe mirëqenie sociale”, është shprehur ai.

Ndryshe në mbledhjen e sotme të qeverisë u shqyrtua Planit vjetor i punës së Qeverisë së Kosovës për vitin 2012, po ashtu u miratua propozim-vendimi për inicimin e procedurës për shpronësimin e parcelës nr 600-6, zona kadastrale në Polac, komuna e Skënderajt, propozim-vendimit përfundimtar për ndryshimin e shpronësimit në segmentin 1,2,3 në autostradën Vërmicë-Merdare si dhe Plani zhvillimor strategjik për ministrinë e drejtësisë për vitin 2012-2016.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›