Qeveria, e zezë për LDK-në
Kështu, ajo sot gjatë një konference për shtyp, ka paraqitur një vlerësim 14 faqesh ku ka renditur vlerësimet e tyre për qeverisjen e PDK-së dhe AKR-së me pakicat, gjatë vitit 2011. LDK në këtë vlerësim, e ka nxjerr konkluzate saj nga 70 ekspertë të saj në fusha të ndryshme.
Vlerësim i përgjithshëm është se Kosova në shumë fusha ka ngecur ose ka ecur prapa gjatë vitit 2011.
Sipas LDK, me këtë qeverisje, Kosova po identifikohet gjithnjë e më shumë në arenën ndërkombëtare si vend ku: cenohet ligji dhe askush nuk ndëshkohet; ku abuzohet me votën e qytetarit; një vend me ekonomi të sfilitur, papunësi ekstreme dhe varfëri të thellë; më shumë konflikte të interesit në procesin e stërzgjatur të privatizimit; me politika ekonomike dhe fiskale që reflektojnë nevojën e përmbushjes së premtimeve të pabaza elektorale e jo zhvillimin ekonomik; me arsim skajshmërish të politizuar dhe me cilësi të paktë e në rënie; me pacientë që ikin jashtë vendit për tu shëruar në ndërkohë që harxhohen qindra mijëra euro për asgjësimin e barnave të skaduara dhe me politikë të jashtme kaotike duke u përzier kompetencat në mes të gjashtë zyrtarëve për politikë të jashtme, me hapje të negociatave të dështuara qysh në fillim dhe me shkatërrim të strukturës dhe të stafit diplomatik ende pa u formuar si duhet.
Në pikën e parë të LDK-së për rendin dhe ligjin, partia më e madhe opozitare ka përmendur mbi 220 mijë lëndë të pa zgjidhura nga fusha civile që paraqesin rrezik permanent për manipulim dhe për ngritjen e strukturave jo formale dhe kriminale. “Me të drejtë, raportet ndërkombëtare i cilësojnë vendimet e gjyqësisë si arbitrare dhe të paparashikueshme në aspektin ligjor, ndërsa prokurorinë si organ që jo rrallë përdoret për qëllime politike”, thuhet në këtë vlerësim.
Tutje, LDK thotë se ka mungesë të efikasitetit në zbulimin e krimeve. “Në shumë raporte ndërkombëtare, siç është Raporti i Progresit, krimet janë jo rrallë të lidhura me politikën gjë që e bënë të vështirë zbulimin e tyre. Rastet e rënda ende detyrimisht duhet të gjykohen nga EULEX-i pasi gjyqësia dhe prokuroria vendore ende janë të papërgatitura dhe nën ndikime politike”.
LDK konsideron se skandal gjatë vitit 2011 ishte tendenca e qeverisë për kontroll politik të drejtësisë përmes vendimit për themelimin e këshillit koordinues të drejtësisë në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. “Pas kundërshtimeve të opozitës dhe faktorëve ndërkombëtarë u stopua një veprim i tillë, por ajo që është problem është mentaliteti i tillë qeverisës i zyrtarëve në krye të institucioneve”.
Sa i përket ekonomisë, LDK thotë se viti 2011 filloi me vonesat në miratimin e buxhetit, që ishte peng i premtimeve elektorale për të fituar vota. Rritja e pagave nga mars rezultoi me prishjen e marrëveshjes me FMN-në dhe humbjen e 167 mil euro.
“Mungon plani afatgjatë i zhvillimit ekonomik. Shpërndarja e shpenzimeve kapitale nëpër sektorë u bazua në prejardhjen regjionale të anëtarëve të Qeverisë. Investimet kapitale ishin peng i autostradës, i cili la pa realizuar shumë projekte jo vetëm në infrastrukturë por në sektorë të tjerë. Një segment i këtij projekti u kompletua ende pa u zgjedhur kompania mbikëqyrëse. Pasi u përfundua ky segment dhe u lëshua në përdorim, ende nuk ka kompani për mirëmbajtje”.
Në këtë pikë LDK përmend edhe raportin e progresit për vitin 2011 që ka konfirmuar Kosova ka ecur nga prapa në shumë fusha të zhvillimit ekonomik dhe social. Ndërsa sipas OKB-së, në mungesë të perspektivës në vend, Kosova e zë vendin e tretë në botë për nga numri i azilkërkuesve.
Në arsim, pavarësisht se Qeveria e kishte shpallur vitin 2011 si “Shtet të dijës”, nuk ka pasur asgjë në këtë drejtim. “Cilësia në arsim u shpall si prioritet, por shkollat mbetën përgjysmë në gjithë Kosovën. Kalueshmëria në testin e maturës ishte e ulët dhe organizim i tij ishte i dështuar tërësisht”.
Për LDK-në, Qeveria vijon të mos ketë asnjë politikë për institutet shkencore-kërkimore, të cilat funksionojnë me subvencionet simbolike. “Instituti më i vjetër në Kosovë, Instituti Albanologjik, në kundërshtim me ligjin, gjatë viti 2011 ka doktoruar disa punonjës të tij. Investimet kapitale në arsim kanë pësuar rënie drastike, madje nuk janë përmbushur as obligimet për punë të kontraktuara më parë. MASHT-i që nga viti 2008 po shkel Ligjin për Arsimin Komunal (neni 5) duke investuar drejtpërdrejt në shkolla, kryesisht në komuna që qeverisen nga PDK. Ky ligj përcakton qartë se investimet në shkolla implementohet nga komunat”.
Edhe në shëndetësi, LDK thotë se nuk ka pasur përparim, pavarësisht se ka pasur një buxhet prej 79 milion euro, “kurse premtimet elektorale kanë qenë për 150 milion”.
“QKUK-ja gjatë tërë vitit është menaxhuar nga UD të drejtorit. Drejtori aktual është zgjedhur pas dy anulimeve arbitrare të konkursit nga MSH për shkak të ndikimit të grupeve të interesit. Që nga viti 2010 dhe deri sot, të gjithë drejtorët e Klinikave dhe njësive tjera të QKUK-së udhëhiqen me UD. MSH pa respektuar procedurat ligjore në fuqi e ka ndërruar Statutin e QKUK-së”.
“Ligji për sigurime shëndetësore, i paraparë që të kalohet në Parlamentin e Kosovës gjatë vitit 2011, ende nuk është shqyrtuar. Në projektbuxhetin i paraparë për vitin 2012, për implementimin e këtij Ligji nuk janë ndarë mjete”, ka vlerësuar LDK sektorin e shëndetësisë.
Ndërkaq, sa i përket politikës së jashtme, LDK thotë se gjatë 2011-ës është dëmtuar imazhi i Kosovës dhe kjo është pasqyruar në raportet e Departamentit i Shtetit, Amnesty International, Transparency International, Fredoom House, etj.
“Emërimi i shumë zyrtarëve për politikë të jashtme ka krijuar huti para partnerëve ndërkombëtarë. Kushtetuta parasheh Presidenten si udhëheqëse të politikës së jashtme dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme si zbatuese. Por, për të kënaqur apetitet e partnerëve të koalicionit, janë edhe 4 akterë të tjerë që merren me politikën e jashtme: Zëvendës-Kryeministri Pacolli, Zëvendës-Kryeministrja për dialogun Tahiri, Ministrja e Integrimeve Evropiane dhe Ministri i Diasporës. Me gjithë këta persona, gjatë këtë vit kemi arritur të sigurojnë vetëm 9 njohje. Dhe për këto njohje ka pasur konkurrencë të ashpër në mes tyre për shpalljen e tyre dhe për marrje të meritave”.
Po ashtu, Qeveria për LDK ka hyrë në dialog me Serbinë e papërgatitur, pa agjendë dhe pa e ditur se çfarë përfiton.
Kështu: Serbia ka arritur që të diskutoi çështje të rregullimit të brendshëm të Kosovës, siç janë kufijtë që janë cilësuar si ‘pika administrative apo pikëkalime’, pranimi i tabelat të veturave të kohës së UNMIK-ut, çështjen e operatorit serb të telefonisë mobile; Serbia ka arritur t’i anashkaloje temat me rëndësi për Kosovën si fati i të zhdukurve dhe shuarja e institucioneve paralele në Kosovë; Sistemi ilegal serb në gjyqësi, shëndetësi, arsim e pushtet lokal ende është duke funksionuar në veri dhe pjesërisht edhe në komunat me shumicë serbe në pjesët tjera të Kosovës; Qeveria është pajtuar të pranoi vetëm kopjet e regjistrave civil e jo origjinalet.
Po ashtu, LDK opozitare vlerëson se Qeveria ka shkelur Kushtetutën duke lejuar zyrtarët qeveritarë të marrin pjesë në forume shumëpalëshe nën mandatin e UNMIK-ut. “Kjo është vërtetuar në Raportin e Progresit 2011”.
Edhe sa i përket integrimeve evropiane, për LDK-në ka stagnuar . “Konstatimet që dalin nga Raporti i Progresit 2011, janë se kjo qeveri nuk është e aftë të siguroi zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social. Sfidat dhe kriteret për integrim në BE janë shumë mëdha për kapacitetet e qeverisë aktuale”.
Sa i përket sektorit ku LDK ka qenë më e zëshmja gjatë 2011, atë për kulturë, rin dhe sport, sigurisht që vlerësimet kanë qenë negative.
“Në fushën e kulturës, gjatë vitit 2011 nuk ka pasur asnjë aktivitet të rëndësishëm kulturor, duke e lënë vitin 2011 shterpë në kulturë. Këshilli Nacional për Trashëgimi që është gjysmak në numër dhe jofunksional në ushtrimin e përgjegjësive. Buxheti për kulturë, rini e sport për vitin 2011 ka qenë 13 milionë euro, ose më pak se 1 për qind e buxhetit total. Gjysma e këtij buxheti nuk është shfrytëzuar ose është tjetërsuar. Subvencionet janë ndarë në kundërshtim me politikat programore, ngase nuk ka pasur komisione për vlerësimin e projekteve. Fondi për botimin e librave për vitin 2011 ka qenë vetëm 22 mijë euro. Vetëm Komuna e Prishtinës ka investuar 5 herë më shumë në botimin e librave”.