Thaçi: Bisedimet, në përputhje të plotë me Kushtetutën

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar sërish se dialogu mes të Serbisë dhe Kosovës në Bruksel, do ketë përfundime pozitive.
“Me mbështetje të plotë të SHBA-së dhe BE-së dhe me qëndrimet korrekte e konstruktive të Kosovës dhe Serbisë, ky proces do të përmbyllet me njohjen reciproke dhe anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian”, ka thënë shefi i ekzekutivit kosovar në mbledhjen e qeverisë.
Thaçi ka deklaruar se në këtë çështje do të punohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe dokumentin e Ahtisarit.
Duke iu referuar disa deklaratave të fundit se për veriun e Kosovës duhet të ketë një status të veçantë, kryeministri Thaçi ka theksuar se “çdo deklarim i kujtdo qoftë, qoftë politik apo akademik, që del në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe dokumentin e presidentit Ahtisarit, do të ikë si fluskë sapuni”.