Kutitë e Shkodrës rrënuan opozitën e Edvinit

Hapja e kutive nga prokuroria ka sjellë edhe rrënimin e aksionit politik 18 mujor të opozitës së Edi Ramës. Pas keqllogaritjes, Nard Ndoka s’ka guxuar as të apelojë vendimin për mbylljen e hetimeve, çka denoncon mungesën e interesit për transparencën e zgjedhjeve. Në qendër të opozitës mbetet axhenda antievropiane, por me denoncimin e kauzës së kutive, s’ka më asnjë shpresë se ajo do të mbushet me protesta apo me bojkote masive të institucioneve
Opozita kishte gjetur një alternativë domethënëse për të konfirmuar mbijetesën e saj në skenën politike shqiptar, përmes përdorimit si oksigjen dhe frymëmarrje kauzën e zgjedhjeve të kaluara dhe pretendimet për manipulim të procesit. Pas një kohe ekstremisht të gjatë, vërejmë se Partia Socialiste dhe aleatët e saj, kanë humbur sensin e kërkesës së tyre, duke iu nënshtruar një krize të brendshme, krizë kjo e frikshme dhe si produkt parashikon një përplasje të re mes aleatëve të majtë. Edhe pse publikisht është vërejtur një lloj kohezioni raportesh dhe mirëkuptimi, realisht të brishtë, opozita ndodhet në një kulm mosmarrëveshjesh, aq më tepër aktualisht kur në mënyrë spektakolare dështoi qëndrimi i PDK-së, për të manipuluar rezultatin e KQZ-së dhe vëzhguesve ndërkombëtare, për procesin e zgjedhjeve në qarkun e Shkodër. Matematika e dobët dhe paaftësia e drejtuesve të majtë, sjell në vetvete mendësinë e cekët të mentalitetit opozitar dhe njëherazi reflekton hibridët e gabuar të politikës së mbrapshtë të ekspontëve si Rama, Ndoka, Ngjela apo dhe Veliaj.
Akuzat e Ndokës, Prokuroria: Qëndrime politike dhe keqinformuese/Prokuroria i ka cilësuar deklaratat e bëra ndaj saj nga kreu i socialdemokratëve, Nard Ndoka, si politike dhe keqinformuese. Konkretisht, Ndoka ka akuzuar prokurorinë e Shkodrës se ka manipuluar provat në hetimin e rezultatit të zgjedhjeve në këtë qark, në KZAZ-të nr. 40 dhe 42 dhe se është dorëzuar pas presioneve të politikës. “Partia Demokristiane në shtator 2009 ka bërë denoncim në Prokurorinë e Rrethit Shkodër për falsifikim të rezultatit zgjedhor në qarkun e Shkodrës në KZAZ-të nr. 40 dhe 42, duke kërkuar hapjen e pesë kutive të votimit. Nga ana e prokurorisë është vendosur sekuestro ndaj kutive të votimit dhe në 17 shtator 2010 janë tërhequr nga KQZ kutitë me materialet zgjedhore, ndërsa më 20 tetor 2010 janë tërhequr nga KQZ kutitë me fletët e votimit. Procesi i numërimit të votave dhe shqyrtimi i tyre është bërë gjatë muajit tetor duke respektuar të gjitha normat ligjore dhe dispozitat proceduriale dhe në ushtrim të kompetencave hetimore të prokurorisë. Procesi i shqyrtimit, duke nisur nga prerja e kodeve, hapja e kutive dhe deri numërimi i votave në to, është kryer sipas ligjit dhe e gjithë procedura është regjistruar në video, të cilën në rast se shihet e nevojshme, mund ta vëmë në dispozicion të medias”- ka sqaruar Prokuroria e Përgjithshme. Duke shtuar se pas numërimit të votave në kutitë të cilat ishin objekt i hetimit, Prokuroria e Shkodrës, pasi nuk gjeti prova të manipulimit të rezultatit zgjedhor në këto qendra votimi, në vendimin e datës 17 Nëntor 2010, vendos pushimin e çështjes penale. “Me këtë vendim, subjekti PDK është lajmëruar nëpërmjet shërbimit postar që më datë 23 nëntor 2010, me cilësinë e kallëzuesit. Ndërkohë, të mërkurën i janë kthyer KQZ-së kutitë që ishin objekt i hetimit së bashku me vendimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për pushimin e çështjes së veprës penale të falsifikimit të rezultateve zgjedhore në qarkun e Shkodrës, në KZAZ-të nr. 40 dhe 42. “Me këtë rast vlerësojmë të nevojshme të ri-deklarojmë se institucioni i Prokurorisë duke mbetur larg lojërave të interesave politike, garanton se në punën e tij do të jetë i udhëhequr nga respektimi i Kushtetutës dhe i ligjit”- përfundon deklarata e Prokurorisë së Përgjithshme
Topalli: Hapja e kutive të Shkodrës, e vërteta e kauzës së opozitës/Mazhoranca ka reaguar një ditë pas hapjes se kutive nga prokuroria e Shkodrës në katër qendra votimi të këtij qarku, e cila vendosi pushimin e çështjes për mos faktim të elementëve të veprës penale të falsifikimit të dokumentave dhe rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Nga foltorja e kuvendit, kryeparlamentarja Jozefina Topalli ndërsa iu referua kallëzimit të bërë nga demokristiani Nard Ndoka, tha se me vendimin e marrë nga organi i akuzës, ra dhe kauza e opozitës. Ndaj ajo i ftoi deputetët socialistë dhe kryetarin Edi Rama që t’u kërkojnë ndjesë qytetarëve shkodranë dhe mbarë shqiptarëve për baltosjen e zgjedhjeve prej mëse një viti në emër të transparencës. “Me hetimin në Shkodër ra kauza juaj. Ja ku i keni, përplasjani në fytyrë kryetarit tuaj. Kërkonit hapjen e kutive, ja ku i keni. Prokuroria hetoi, kërkojini falje qytetarëve të Shkodrës. Zgjedhjet ishin më të mirat, ja pse ju nuk shkonit në gjykata, në prokurori, apo në Komisionin e Venecias, ju kërkonit alibi. Kjo është kutia. Thuaji Ramës të ikë siç ka deklaruar dhe vetë. Hodhët baltë mbi zgjedhjet. Kjo këtu është e vërteta e institucioneve të pavarura.”
Në diskutimet e lira të seancës parlamentare, Zv/Kryeministri Ilir Meta e akuzoi gjithashtu opozitën, duke thënë se, pas dështimit me kutitë e votimit, ajo përdor po për qëllime politike edhe përmbytjet në Shkodër. Prokuroria e Shkodrës hetoi pretendimet e demokristianit Ndoka, për manipulim të rezultateve zgjedhore. Por hetimet nxorrën si përfundim se nuk ka patur asnjë element manipulimi.