Thaçi: Do të luftojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar
Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës kanë pranuar se në Kosovë ka korrupsion dhe krim të organizuar. Ata janë zotuar t`i luftojnë këto dukuri në çdo formë dhe me çdo mekanizëm si një fenomen i shtrirë gjithandej. Kryeministri Hashim Thaçi është shprehur se qeveria e tij do të bashkëpunojë me të gjithë faktorët për luftimin e kësaj dukurie negative, ndërsa shprehet se lufta kundër këtij femomeni nuk do të jetë e motivuar politikisht. Këto deklarata kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, i bëri në një konference me temën “Fuqizimi i kapaciteteve kosovare për luftimin e pastrimit të parave dhe korrupsionit”, të organizuar nga Agjencia Europiane për Rindërtim. Autoritetet ndërkombëtare në Kosovë janë shprehur se institucionet e Kosovës kanë një sfidë të madhe përpara me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në këtë linjë inkurajojnë institucionet kosovare, që të përdorin të gjithë mekanizmat dhe ta luftojnë këtë dukuri negative. Për autoritetet e Prishtinës problematike në këtë fazë është luftimi i krimit të organizuar dhe kontrabanës së mallrave në pjesën veriore të Mitrovicës. Dy pikat doganore në kufirin verior me Serbinë, janë ende jashtë kontrollit të institucioneve të Kosovës. Ato u dogjën nga serbët lokalë gjatë një proteste kundër pavarësisë së Kosovës.
16 Prill 2008