E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skela: “Kuzhe ka ide të qarta, grup dhe agresivitet”



Ervin Skela konsiderohet me të drejtë “truri” i ekipit Kombëtar. Ende pa një ekip, mesfushori 33-vjeçar, duket se do ta kompensojë mungesën me ndeshjet e përfaqësuese, ku ish-fantazisti i Energi Kotbusit premton maksimumin e tij. “Por, duhet të kemi shumë kujdes!”, - thotë Skela (59 ndeshje, 10 gola)

Ervin, Shqipëria nuk fiton prej shumë takimesh (tetë të tilla, përfshirë dhe miqësoret). A është kjo me Qipron ndeshja e kthesës?
Nuk duhet të punojmë vetëm për këtë ndeshje, por edhe për ndeshjet e ardhshme si edhe për eliminatoret e Euro 2012, të cilat startojnë në shtator 2010. Këto janë edhe idetë e trajnerit: të konsolidojë një grup lojtarësh që mendon se janë për të ardhmen dhe i shërbejnë Kombëtares sipas vizionit që ai ka për futbollin. Këto gjëra duhet t’i tregojmë në fushë, por nuk diskutohet që nevojitet pak kohë. Duke arritur rezultate pozitive, kjo bëhet edhe më e lehtë, e për këtë arsye është e rëndësishme që të fitojmë nesër (sot), pasi kemi një vit që nuk dalim fitues nga fusha. Kundërshtari është mjaft i fortë, por duhet ta marrim seriozisht për ta fituar ndeshjen.

Ndeshja me Qipron është cilësuar si një duel mes ekipeve të barabarta, por Beqaj ka paralajmëruar për forcën e kundërshtarëve. Sa e njihni dhe si e vlerësoni këtë miqësore?
Arjani ka vite që luan në Qipro dhe ai e njeh mjaft mirë futbollin e këtij vendi. Megjithatë, gjatë këtyre ditëve trajneri ka parë dy ose tri DVD-i me ndeshjet e kundërshtarëve dhe në bisedat që kemi pasur i ka vlerësuar shumë. Po të shikosh edhe rezultatet e fundit, me Gjermaninë dhe Italianë, qipriotët kanë humbur në çastet e fundit, duhet të kemi shumë kujdes. Është një ekip i mirëorganizuar në mbrojtje, që ka dy sulmues shumë të rrezikshëm se Okas dhe Konstantinou. Edhe sot trajneri analizoi me detaje lojën e tyre mbrojtëse dhe sulmuese dhe ne duhet të jemi të përqendruar dhe shumë të organizuar për të arritur rezultat pozitiv.

Skuadra është në proces rinovimi, kë shihni si Skelën e ardhshëm?

Nuk më takon mua që të them se si do të jetë e ardhmja e skuadrës. është trajneri ai që e vendos se cili lojtar do të më zëvendësojë, megjithatë dje (të hënën) ne zhvilluam një bisedë me trajnerin, në të cilën Kuzhe u shpreh shumë qartë përsa i përket “veteranëve”, pra lojtarëve si unë, Erjon Bogdani apo Klodian Duro, se ne jemi pjesë e planit të tij 2-vjeçar për të ardhmen dhe për eliminatoret e Europianit. Mua më gëzon ky fakt. Gjithmonë e kam thënë: nëse trajneri më do dhe vendi im më kërkon jam i gatshëm të vij gjithmonë. Kjo pavarësisht faktit nëse do të luaj vetëm një minutë, pesë minuta apo të gjithë ndeshjen. Të luaj për përfaqësuesen është një kënaqësi e jashtëzakonshme dhe këtë do ta tregoj gjithmonë.

Ëndërron Skela se së afërmi do të luajë me Shqipërinë në një turne të rëndësishëm?
Kualifikimi për një eveniment të tillë, qoftë Europian apo Botëror është ëndrra e çdo futbollisti. E kemi të qartë se për ne do të jetë shumë e vështirë, jemi një vend i vogël dhe mundësitë të luajmë në një kompeticion të rëndësishëm janë të pakta. E kam theksuar edhe përpara ndeshjes me Portugalinë: trajneri i ri i ka idetë shumë të qarta rreth futbollit. Këto i kemi parë edhe në seancat stërvitore që kemi zhvilluar dhe në mbledhjet e vazhdueshme, përsa i përket anës taktike dhe anës profesionale, sesi mendon ai të punojë. Këtë duhet ta vëmë në zbatim që prej takimit me Qipron, sepse kemi treguar që me ekipet e mëdha jemi të motivuar. Por ka ardhur koha që edhe me ekipet e vogla të japim 100 për qind dhe të fitojmë, pasi janë mjaft të rëndësishme për të ardhmen.

Ervin vini në këtë miqësore në një moment kur po vazhdoni stërvitjen te Leverkusen, por ende nuk keni gjetur një ekip për sezonin e ri?
Është e vërtetë që momentalisht ndodhem pa ekip. Kam rreth dy javë e gjysmë që stërvitem te Leverkuseni. Kam pasur disa bisedime me Trabzonsporin në Turqi, por fatkeqësisht ky kalim nuk e realizua, pasi trajneri që më kërkonte nuk u emërua në krye të stolit. Në Gjermani kam pasur dy-tri oferta nga klubet e Kategorisë së Dytë, të cilat nuk kanë qenë interesante për mua dhe nuk i pranova. Po vazhdoj stërvitjen dhe pres të gjej sa më shpejt një ekip, të cilit mendoj se i përshtaten kualitetet e mia.

Në Gjermani është folur për interesimin e Eintrahtit të Frankfurtit....

Sa herë që më mbaron kontrata me një skuadër, emri im përflitet gjithmonë si alternativë për Eintrahtin e Frankfurtit, sepse të gjithë e dinë që atje kam kaluar tri vite të shkëlqyera. Jam ndjerë shumë mirë te ai klub, familja ime ndihej mirë në atë qytet dhe tifozët më kanë dashur gjithmonë. Gjithsesi, tema e Frankfurtit është e mbyllur.

Përflitet edhe Kaljari në Serinë A. A do të kthehej Skela në Itali, pas eksperiencës me Askolin?
Kam dëgjuar për interesimin e Kaljarit vetëm nëpërmjet mediave, por me mua si Ervin askush nuk ka kontaktuar. Nuk e mendoj se do të ketë diçka konkrete

12 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›