“Qeveria nuk është gati për AH1N1”
PS akuzon qeverinë se nuk është gati të përballojë pasojat e gripit të derrit. Deputeti i selisë rozë, Ilir Beqja, tha dje në një konferencë për shtyp se Ministria e Shëndetësisë konfirmoi faktin se ende nuk ka një plan të saktë për vaksinimin e grupeve më të rrezikuara të popullsisë. “Dje, opinioni publik mësoi se qeveria shqiptare nuk ka bërë ende asnjë porosi për vaksinat, në një kohë që vetëm njëri prej prodhuesve të vaksinës (Glaxo Smith Kline) deklaron se ka lidhur kontratë me qeveri të 8 vendeve të ndryshme”, tha Beqja. Sipas tij “Mesa duket qeveria nuk ka kohë për t’u marrë me këto çështje, sepse Sali Berisha e ka mendjen te rekordet vetjake të notit, apo si do të ndajë portofolet e koalicionit të ri. Më e keqja është se qeveria nuk ka as para për të përballuar situatën që pritet të vështirësohet, pasi fondet e kontigjencës po i përdor për të paguar shiritat elektoralë”.