Tamiflu s’përdoret te fëmijët
Tamiflu nuk duhet përdorur te fëmijët. Në Britani, shkencëtarët bëjnë thirrje për mospërdorim e anti-viraleve Tamiflu e Relenza te fëmijët nën moshën 12 vjeç, pasi kanë zbuluar se këto ilaçe janë të rrezikshëm. I pari shtet që i është përgjigjur këtij apeli është Greqia. Nga një zbulim i ri, ekspertë nga Universiteti i Oksfordit thonë se ilaçe si Tamiflu pakësojnë kohëzgjatjen e gripit te fëmijët vetëm me një ditë, por nuk i çlirojnë ata nga simptoma të tilla si astma dhe infeksioni në vesh. Sipas doktorëve, ilaçi sjell te fëmijët të vjella dhe për pasojë humbje të lëngjeve e dehidratim. Në rast se një fëmijë i sëmurë me gripin e derrit përdor Tamiflu, gjendja e tij përkeqësohet dyfish. Në Greqi mjekët kanë këshilluar që “tamiflu-ja” te fëmijët të përdoret vetëm në rastet ekstreme, kur pacienti rrezikon seriozisht jetën.