Bomberat kuqezinj “miqësorë”
Vetëm nëntë lojtarë nga 20 të thirrurit e Kuzhes për ndeshjen kundër Qipros kanë shënuar të paktën nga një gol me fanellën përfaqësueses, përfshirë ndeshjet zyrtare e miqësore. Këta janë mbrojtësit Armend Dallku (1 gol) dhe Debatik Curri (1), mesfushorët Ervin Skela (10), Lorik Cana (1), Jahmir Hyka (1), Ansi Agolli (1) e Klodian Duro (4), si dhe sulmuesit Erjon Bogdani (10) e Hamdi Salihi (1).
* Golin e parë në një ndeshje miqësore mban firmën e Qamil Telitit, në barazimin 1-1 me Rumaninë në Bukuresht (23 tetor 1949). Golin e fundit shqiptar në një ndeshje miqësore e ka shënuar Ansi Agolli, në ndeshjen kundër Gjeorgjisë në “Qemal Stafa”, më 10 qershor 2009.
* Ervin Skela i ka ndarë 10 golat e tij me përfaqësuesen në mënyrë simetrike: 5 gola në ndeshje zyrtare, 5 në miqësore. Skela e ka shënuar golin e tij të parë në një ndeshje miqësore, në fitoren 2-0 kundër Turqisë në Gaziantep (25.04.2001). Të dytin e ka shënuar kundër Maqedonisë, në humbjen 3-1 në Prilep (20.05.2003), të tretin në fitoren 2-1 kundër Suedisë në Tiranë, më 18.02.2004. Goli i katërt i tij në një ndeshje miqësore është ai kundër San Marinos (3-0). Të pestin dhe të fundit e ka shënuar në miqësoren kundër Azerbajxhanit (1-1) në Baku (19.11.2008).
* Erjon Bogdani nga 10 gola që ka realizuar në total, vetëm 3 prej tyre janë shënuar në ndeshje miqësore. Sulmuesi aktual i Kievos e ka shënuar golin e tij të parë në një ndeshje miqësore, në fitoren 2-0 kundër Maqedonisë në Tiranë, më 10 shkurt 1999. Bogdani ka shënuar edhe dy gola në miqësoren e fituar 3-0 kundër Maltës (15.11.2000, në Tiranë).
* Më shumë gola në ndeshjet miqësore ka shënuar Adrian Aliaj: 6 të tillë, respektivisht 2 kundër Portugalisë (humbëm jashtë 5-3), 1 kundër Estonisë (fituam 2-0), 1 kundër Suedisë (fituam në Tiranë 2-1), 1 kundër Islandës (fituam në Tirana 2-1) dhe 1 kundër Estonisë (barazuam jashtë 1-1).
* Lorik Cana (1), Hamdi Salihi (1), Jahmir Hyka (1) dhe Ansi Agolli (1) golat e vetëm të tyre me Kombëtaren i kanë shënuar pikërisht në ndeshje miqësore. Cana kundër Azerbajaxhanit (2-1), Salihi kundër Maltës (3-0), Hyka kundër Lihteshtejnit (2-0) dhe Agolli kundër Gjeorgjisë (1-1).
12 Gusht 2009