E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i derrave, dyshohet të jetë prekur një fëmijë

 

fabiola Çela

Gripi i derrave po përhapet edhe në Shqipëri. Përveç moshave të rritura këtë herë dyshohet se nga gripi i derrave të jetë prekur edhe një fëmijë. Deri më tani, numri i të prekurve nga virusi A/H1N1 në vendin tonë ka arritur në 12.
Gripi
“Numri vjen duke u rritur sepse çdo ditë vijnë monstra të dyshuara për grip. Mund të them që nuk është piku i disa ditëve më parë. Për momentin kemi vetëm dy raste të reja, që kanë dalë me grip në laboratorin tonë për të cilat do të vazhdohen procedurat normale për t’i dërguar në Rumani”, shprehet shefi i Epidemiologjisë, në ISHP, Dritan Ulqinaku. Ndërkaq Instituti i Shëndetit Publik konfirmoi dje dhe 4 raste të tjera me sëmundjen e gripit të derrit në vendin tonë. Konfirmimi erdhi pas analizave që u kryen në laboratorët e Bukureshtit. Numri në total i të prekurve nga virusi A/H1N1 në vendin tonë ka arritur në 12. Rastet i përkasin moshës nga 15 deri në 59 vjeç, ndërkohë që për herë të parë është identifikuar vetëm një rast i mundshëm i prekjes me virusin A/H1N1 i një fëmije 4 vjeç. Rastet e konfirmuara janë banorë të kryeqytetit dhe vetëm dy prej tyre janë qytetarë në Sarandë dhe Lushnjë. Verifikimi i rasteve të dyshuara nga laboratori i Bukureshtit vjen kryesisht pas një jave, çka bën që mjekët shqiptarë të marrin vetë vendimin për mënyrën sesi duhet t’i mjekojnë pacientët dhe për dhënien ose jo të ilaçit tamiflu, i cili mund të rezultojë i rrezikshëm, për personat që nuk janë prekur realisht nga gripi i derrit. Të prekurit nga ky virus kanë pasur temperatura deri në 38 gradë celsius, dhimbje koke, dhimbje fyti, kollë, dhimbje muskulare dhe lodhje. Çdo ditë në ISHP përpunohen monstra të rasteve të dyshuara nga Tirana dhe rrethet e tjera të vendit. Laboratori i virologjisë në ISHP është pjesë e rrjetit evropian të survejancës së gripit dhe raporton çdo javë pranë këtij rrjeti. Aktualisht në këtë laborator po analizohen mesatarisht mbi 30 monstra çdo javë. Në këtë laborator kryhet testi i Imunofluoreshencës Direkte dhe testi i shpejtë që japin përgjigjet paraprake të identifikimit të virusit brenda 2 orësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›