Thaçi: Edhe Rusia dhe Kina do ta njohin Kosovën
Duke folur për qëndrimet e Rusisë dhe Kinës, por edhe të pesëshes evropiane, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, Thaçi ka deklaruar se Rusia duke menduar se po e ndihmon Serbinë, po bën të kundërtën, është duke e ngadalësuar atë në integrimet evropiane dhe përparimin e saj ndërkombëtar.
Kryeministri Thaçi në një takim me media, i cili u zhvillua në Press Qendrën Kombëtare Japoneze, ka shpjeguar çështjet politike dhe ekonomike që rrethojnë ambientin kosovar, por edhe atë rajonal.
Ai ka folur edhe për vizionet dhe planet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zhvillimin dhe ngritjen e nivelit të përparimit nacional.
“Unë kam ftuar edhe kryeministrin, edhe spikerin e parlamentit, edhe ministrat, edhe agjencitë e ndryshme të ekonomisë që ta vizitojnë Republikën e Kosovës dhe jam i inkurajuar me gatishmërinë e tyre që të gjejnë kohën dhe mundësitë e përshtatshme për vizitë në Kosovë dhe rajon”, ka theksuar Thaçi.
Delegacioni i nivelit më të lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Kryeministri Hashim Thaçi, ka vizituar edhe Parlamentin e Japonisë, Shtëpinë e Përfaqësuesve, ku është pritur nga kryeparlamentari, Takahiro Jokomichi.
Edhe në këtë takim është theksuar miqësia mes dy vendeve, si dhe nevoja që edhe Parlamenti i Japonisë të jetë në funksion të zhvillimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Japonisë. (RTK)