E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Edhe Rusia do ta njohë Kosovën

Gazeta e Beogradit, "Politika", bisedoi me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në kabinetin e tij në Prishtinë, një ditë pas festimit të njëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. "Shfrytëzoj rastin t‘i bëj thirrje Beogradit ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe të fillojmë bashkërisht të shohim drejt së ardhmes euro-atlantike", i vuri në dukje Kryeministri kosovar bashkëbiseduesit të tij. Më poshtë po ju sjellim intervistën që z. Hashim Thaçi i dha njërës prej gazetave të përditshme kryesore serbe.

Përse i kundërshtoni bisedimet për gjashtë pikat?

Për Kosovën nuk ekziston plani prej gjashtë pikash. Për ne, të vetmet dokumente të vlefshme janë Plani i Ahtissarit dhe Kushtetuta e Kosovës.

Por Plani i Ahtisaarit nuk është njohur në arenën ndërkombëtare nga ndonjë institucion...

Ai është një dokument ndërkombëtar. Këtë plan e kanë pranuar të gjitha vendet që na kanë njohur neve si shtet, qoftë edhe ato vende që nuk e kanë bërë këtë akoma. Madje edhe Rusia ka filluar të tregojë mirëkuptim për Planin e Ahtisaarit.

Në cilin kuptim Rusia po tregon mirëkuptim?

Përfaqësia e saj diplomatike në Prishtinë merr pjesë aktive në proceset që po zhvillohen në Kosovë. Rusia është befasuar pozitivisht nga ajo që po ndodh në Prishtinë. Edhe Moska zyrtare do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.

Mbi ç‘bazë e thoni këtë? Mos keni ndonjë paralajmërim nga Moska?

Nuk thashë se kjo do të ndodhë në një të ardhme të afërt. Një vendim i Beogradit për të njohur Kosovën do të përshpejtonte edhe njohjen nga ana e Moskës. Nuk e përjashtoj mundësinë që Rusia të na njohë neve si shtet të pavarur para Serbisë.

T‘i kthehemi edhe një herë Planit të Ahtisaarit. Ju thatë se për Kosovën, ai bashkë me Kushtetutën e saj janë të vetmet dokumente të vlefshme, ndërkohë që ju vetë nuk po e respektoni këtë plan në atë pjesë ku parashihet që zgjedhjet të mbahen brenda afatit prej nëntë muajsh që nga shpallja e Kushtetutës?

Ne kemi institucione të zgjedhura në mënyrë legjitime. Tani po hyjmë në vitin e dytë të pavarësisë dhe ne do ta respektojmë Kushtetutën tonë. Këtë vit do të zhvillojmë zgjedhje në nivel lokal, me anën e të cilave do të konsolidojmë rendin demokratik që do të përcaktojë të ardhmen tonë euroatlantike.

Sidoqoftë, gjithçka është kaluar në fushën e së drejtës ndërkombëtare. Cila do të jetë përgjigjja juaj nëse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë do të marrë një vendim që do ta anulojë vendimin për vetëshpalljen e pavarësisë së Kosovës?

Nuk duhet ta paragjykojmë vendimin e këtij institucioni. Por, megjithatë, këmbëngulja e Beogradit që për këtë të diskutohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, përbën vazhdimin e tendencës së mashtrimit të opinionit publik në Beograd. Procesi i pavarësisë ka filluar dhe asgjë nuk do të mundë ta ndalë atë.

Përse vallë, a nuk është kjo luftë për interesat e veta dhe jo mashtrim i opinionit publik, sikurse thoni ju?

Askush më në Beograd nuk është i bindur se Kosova mund të kthehet në përbërje të Serbisë. Politikanët nga Serbia, kudo që shkojnë, ballafaqohen me faktin se ne jemi të pavarur. Edhe në Uashington, edhe në Bruksel. Madje, me këtë ballafaqohen kur shkojnë edhe në Podgoricë, edhe në Shkup.

Përse ju, në një kohë që e gjithë bota po integrohet, doni të shkëputeni nga përbërja e Serbisë?

Kosova po punon që të hyjë në NATO dhe BE. Serbia kreu genocid në Kosovë. Ajo qëndroi këtu një shekull të tërë. Erdhi këtu me dhunë dhe u largua që këndej, në kohën e Millosheviçit, me genocid. Kosova asnjëherë nuk do të kthehet në përbërje të Serbisë. Beogradi duhet t‘u kërkojë falje qytetarëve të Kosovës për gjithçka që ka bërë këtu. Madje edhe kjo nuk do t‘i fshinte vuajtjet tona.

Ju shpesh thoni se qëndrimet e Beogradit zyrtar përbëjnë një vazhdim të politikës nacionaliste të Millosheviçit. Por, a nuk jeni ju, pikërisht, një njeri për të cilin kombi është në vend të parë? Ndoshta edhe ju jeni vazhdues i një politike të tillë?

Unë e dua vendin tim. Kam luftuar për të. Fitova luftën kundër Serbisë së bashku me popullin tim dhe jam krenar për këtë.

Mos vallë ndoshta po ndërtoni një politikë të urrejtjes?

Unë nuk urrej asnjë vend.

As Serbinë?

Nuk e ndërtoj politikën mbi bazën e urrejtjes, por të perspektivës euro-atlantike. Më shumë më urren Serbia mua, sesa unë atë. Krahasoni vetëm deklaratat që vijnë nga Beogradi dhe ato që bëj unë dhe do të bindeni për këtë. Nuk mund t‘i harroj krimet, por, megjithatë, nuk jam për hakmarrje.

Megjithatë, serbët nuk po kthehen në Kosovë, gjë që tregon se ata këtu nuk e ndjejnë veten të sigurt?

U bëj thirrje të gjithë atyre që të kthehen në shtëpitë e veta. Kanë mbështetjen time të plotë. Kosova është atdheu i të gjithë qytetarëve të këtij vendi. Ata do të jenë të sigurt si asnjëherë më parë.

Por, a e dini ju se serbët po shpërngulen nga Kosmeti? Vetëm nga një fshat në periferi të Gjilanit, gjatë vitit të kaluar janë shpërngulur më shumë se 100 familje.

Ky është ekzagjerim. Ka vite që nuk ka ndodhur asnjë incident me motiv etnik. Serbët që duan të kthehen, mund të marrin shembull nga bashkëkombësit e tyre që po integrohen në institucionet e Kosovës së pavarur dhe po bëhen pjesë e sistemit. Ata po marrin pjesë edhe në zhvillimet politike, edhe në jetën publike.

Qytetarët e Kosovës ankohen se jetojnë keq. Si është situata? Me çfarë jetojnë?

Gjatë vitit të parë të pavarësisë kemi pasur një rritje të standardit. Situata po ndryshon për të mirë, po hapen mijëra vende pune, patëm sukses në Konferencën e Donatorëve, presim investime, para së gjithash, në fushën e energjetikës. Kriza ekonomike botërore mund të prekë edhe Kosovën, megjithëse deri tani sektori ynë bankar është stabël. Së shpejti do të bëhemi pjesë e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe e Bankës Botërore.

Kur prisni të bëheni pjesë e këtyre institucioneve?

Në muajt e parë të pranverës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›