E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina e Beogradi, mendimet për UNMIK-un

Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanier, është takuar të enjten me Presidentin e Serbisë, Boris Tadiq, ministrin e Jashtëm, Vuk Jeremiq, dhe atë për Kosovën, Goran Bogdanoviq.

Nga këto bisedime nuk është dhënë ndonjë hollësi përpos asaj që thuhet në kumtesa, mirëpo, sikurse mëson BBC, zyrtarët serbë kanë insistuar në bisedime që misioni i OKB-së të mbetet në Kosovë dhe kanë përsëritur se për Serbinë janë të pranueshme bisedimet mbi Kosovën ekskluzivisht nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara.

Ata kanë thënë se Beogradi nuk është kundër EULEX-it, por për funksionin e tij mund të bisedohet vetëm në kuadër të Marrëveshjes mbi gjashtëpikëshin serb të pranuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore, Baan Ki-Moon.

Qeveria e Kosovës thotë se këtë plan nuk e ka në axhendën e saj.

Deklarata u bë nga Kryeministri Hashim Thaçi, ndërsa kreu i misionit të OKB-së në Kosovë, Lamberto Zanier, ndodhej në Beograd.

Serbia këmbëngul në zbatimin e planit të z.Ban, duke e parë atë si jetik për mbetjen e serbëve në Kosovë dhe kthimin e të zhvendosurve.

I pyetur për bisedimet që UNMIK-u po bën me Beogradin lidhur me këtë plan, Kryeministri kosovar u ka sugjeruar mediave që, sikundër është shprehur, ta harrojnë këtë çështje, duke lënë të kuptohet se ai nuk do të gjejë zbatim.

"Ky gjashtëpikësh ekziston vetëm në pyetjet e juaja (të gazetarëve). Ai nuk ekziston në planet e qeverisë së Kosovës. Ne e kemi Kushtetutën. Kosova e ka Kushtetutën dhe do të punojë në përputhje me të. Gjashtëpikëshi nuk ekziston në axhendën e institucioneve të Republikës së Kosovës. Harrojeni!", ka deklaruar të enjten Kryeministri i Kosovës.

UNMIK-u ndërkaq, përmes një komunikate, ka thënë se Lamberto Zanier ka biseduar në Beograd me zyrtarë të qeverisë serbe, "rreth një numri të gjerë të çështjeve", në përgatitje për raportin e ardhshëm për seancën e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, që pritet të mbahet në muajin mars.

Në njoftim thuhet se kreu i Misionit të OKB-së dhe zyrtarët e lartë të Serbisë kanë shkëmbyer pikëpamje rreth rrugës përpara në zgjidhjen e çështjeve të hapura që janë me interes për Prishtinën dhe Beogradin.

"Zanier theksoi pritjet e tij, që Bashkimi Evropian, në veçanti nëpërmjet misionit të vet në Kosovë, EULEX, do të luajë një rol në rritje në ndihmën për të zgjidhur çështjet praktike. Konsultimet e mëtejme teknike do të duhej të përfshinin të gjithë faktorët relevantë", thotë njoftimi i UNMIK-ut.

Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanier, para se të udhëtonte në Beograd, javën e kaluar zhvilloi takime me udhëheqësit kosovarë, në përpjekje që t‘i nxisë ata të pranojnë fillimin e bisedimeve me palën serbe.

Prishtina ka refuzuar një takim me zyrtarët e Beogradit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare serbe, duke kërkuar që të gjitha negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të zhvillohen në cilësinë e dy shteteve sovrane, gjë që kundërshtohet nga pala serbe.

Duke komentuar bisedimet e z.Zanier me udhëheqësit shtetërorë të Serbisë, ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, ritheksoi gatishmërinë e Prishtinës për të biseduar me Beogradin vetëm si palë të barabarta.

"Kosova është e dënuar, kushtimisht po them, që ta ketë Serbinë fqinjë të parë, sikur që është e dënuar edhe Serbia që ta ketë Kosovën fqinjë të parë. Pra, Kosova dhe Serbia janë fqinje të parë dhe si dy shtete të pavarura kanë shumëçka të përbashkët, infrastrukturë të përbashkët rajonale, bashkëpunim rajonal, qoftë në tregti, infrastrukturë apo në fusha tjera", tha ministri Hyseni.

Ndërkaq, një përfaqësues i serbëve të Kosovës, Marko Jakshiq, ka deklaruar se në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë Beogradi nuk duhet të pranojë të hyjë në bisedime me shqiptarët.

"Thjesht nuk vjen në shprehje të bisedohet me ta, sepse kjo do të nënkuptonte njohjen e pavarësisë së Kosovës. Mendoj se bisedimet për gjashtëpikëshin do të jenë të pasuksesshme, sepse Beogradi është dashur që fillimisht të realizojë gjashtëpikëshin e pastaj të pajtohet me vendosjen e EULEX-it", tha z.Jakshiq.

Marrëveshja gjashtëpikëshe ndërmjet OKB-së dhe Beogradit, e cila i jep më shumë përgjegjësi komunitetit serb në zonat ku ata banojnë, është kundërshtuar nga Prishtina, me arsyetim se cenon sovranitetin e Kosovës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›