Griselda: Muajin e 9-të të shtatzanisë e mbulova me jastëk

Ideja për t’u shtirur sikur ishte shtatzënë i kishte lindur kur raporti i saj me Elvis Roshin kishte nisur të përkeqësohej. Për më tepër që atë periudhë kishte filluar të shëndoshej dhe t’i fryhej barku. Ndërsa në muajin e nëntë të shtazanisë, për tju dukur barku më i madh kishte vendosur një jastëk nën rroba.
Griselda Zaimi, e njohur si bashkëshortja e kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, ka rrëfyer para prokurorëve detajet e historisë së sajuar të rrëmbimit, keqtrajtimit, nënshtrimit të një lindjeje të detyruar, e cila javën e kaluar shokoi mbarë opinionin publik.
Dëshmia e gruas 28 vjeçare para prokurorëve të Krimeve të Rënda, erdhi pikërisht një ditë pas denoncimit në polici nga kunati i saj, i vëllai i Elvisit më 1 qershor.
E reja është detyruar tu rrëfejë prokurorëve gjithë skemën e historisë së sajuar, të cilën ajo nuk kishte dashur ta bënte publike dhe tia tregonte vetëm Elvis Roshit. Kishte qenë kunati i saj Sajmir Roshi i cili pasi kishte dëgjuar historinë nga Griselda kishte këmbëngulur të bënte denoncimin.
“Unë edhe pse e dija që nuk isha shtatzënë, me bashkëshortin në plazh bëja shumë debate, sepse gjërat kishin filluar të shkonin keq mes nesh. Në këtë kohë fillova të shëndoshesha vetë. Dhe aty më lindi mendimi që të shtiresha si shtatzënë. Duke qenë se raporti me bashkëshortin po përkeqësohej, duke menduar se ai do të më ndante, vazhdoja ta bëja Ervinin ( emri me të cilin e thërret Elvis Roshin) të besonte se sjellja e tij ndaj meje mund t’i bënte dëm fëmijës.”- citohet të ketë thënë në prokurori Griselda Roshi, dëshmia e të cilës është zbardhur sot “Panorama”.
Griselda u ka rrëfyer prokurorëve se Elvisi shpesh e kishte pyetur “Çudi si nuk ke bark t’i?…”, por ajo i ishte shmangur përgjigjes duke e bërë atë të besonte se sjellja e tij mund t’i bënte dëm fëmijës. "Ervini vinte shumë vonë në shtëpi dhe shpesh herë më thoshte, “Çudi si nuk ke bark ti…”. Në fakt unë jastëk kam vendosur vetëm muajin e fundit që të stimuloja shtatzëninë.”- shkruhet sot në të përditshmen shqiptare.
Gruaja ka treguar se në hotel kishte shkuar me bark dhe më pas, kur kishte dalë nga hoteli “Jastëkun, rrobat dhe plaçkat e tjera që kisha në çantë... i kam hedhur në kazanin e plehrave” rrugës për në Kavajë.
Griselda, ka treguar se kur kishte kuptuar që e vërteta do të zbulohej dhe nuk dinte si ta shpjegonte faktin që nuk ishte shtatzënë, kishte tentuar të vetëvritej. Madje dhe në hotelin ku kishte qëndruar natën e 31 majit ajo kishte tentuar të vriste veten duke u helmuar me ilaçe.(BalkanWeb)