E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Heronjtë frymëzim për punën e institucioneve

Me rastin e 15 vjetorit të rënies së komandantit të UÇK-së, Zahir Pajaziti, personalitete nga jeta politike, bashkëluftëtarë dhe qytetarë të shumtë kanë bërë homazhe para shtatores së Zahir Pajazitit, në Prishtinë. Me këtë rast, ata kanë vlerësuar lartë heroizmin dhe sakrificën e Zahir Pajazitit dhe bashkëluftëtarëve të tij, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut, duke thënë se përkujtimi i heronjve dhe luftëtarëve të UÇK-së, do të thotë përkujtim dhe respektim i së kaluarës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të Kosovës, në luftën e saj për liri dhe pavarësi.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pasi ka vënë lule dhe është përkulur para shtatores së heroit, Zahir Pajazitit, ka thënë se heronjtë e Kosovës janë frymëzim për Institucionet e Republikës së Kosovës, që të punojnë edhe më shumë në konsolidimin dhe forcimin e shteti. Ai, po ashtu ka vlerësuar se jeta dhe vepra e komandantit, Zahir Pajaziti do të mbetët gjithmonë si udhërrëfyes për punën e përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës,

“Jeta dhe vepra e komandantit Zahir Pajazitit do të mbetët gjithmonë si udhërrëfyes për punën e institucioneve të Kosovës, për të gjithë bashkëluftëtarët e tij, për vullnetin e qytetarëve të vendit tonë. UÇK-ja bëri të pamundurën me sakrificën e të gjithë qytetarëve të Kosovës që arriti të mobilizojë popullin në luftë për liri dhe pavarësi. Prandaj, sot shteti i Kosovës dhe ne të gjithë nderojmë me pietetin më të lartë komandantët e UÇK-së, luftëtarët e lirisë”, ka thënë ai.

Ndërsa, Muharrem Xhemajli, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka thënë se dëshmorët dhe heronjtë nuk duhet të përkujtohen vetëm në datat e rënies, por çdo herë, pasi që amaneti i tyre ende nuk ka shkuar në vend.

“Këto data për neve nuk duhet të jenë vetëm data në të cilat ne bëjmë homazhe, por ne këta duhet t’i përkujtojmë për çdo herë dhe të marrim çdo herë forcë dhe angazhime për të çuar shtetin e Kosovës përpara dhe për të punuar për bashkimin e tokave shqiptare. Për ta dërguar në fund amanetin, të cilin e kanë dhënë ushtarët e UÇK-së, heronjtë e luftës të UÇK-së, një dëshirë e tyre dhe një angazhim i kahershëm”, ka thënë ai.

Bashkëluftëtari i Zahir Pajazitit, Rexhep Selimi, duke folur për heroizmin e Zahir Pajazitit dhe shokëve të tij, ka kërkuar që dëshmorët e UÇK-së të nderohet me dinjitet, e jo vetëm sa “për sy e faqe”.

“Për çdo shqiptar është krenari që duke hedhur lule, duke përkujtuar heronjtë e vet ta nderoj të kaluarën e lavdishme, po edhe ta ndërtoj të ardhmen e ndritshme. Është mirë të jemi dinjitoz që të kemi mundësi me dinjitet të sjellim lule para heronjve. Pra, të gjithë shqiptarëve të mirë, ju uroj dinjitet që të kenë, për të sjellë lule para shtatorëve dhe varreve të heronjve”, ka thënë Selimi.

Homazhe para shtatores së Zahir Pajazitit, ka bërë edhe Ahmet Isufi nga AAK, i cili ka thënë se në këtë përvjetor të rënies së Zahirit, Edmondit dhe Hakifit përkujtohet epopeja e lavdishme e UÇK-së, e komandantëve të parë, të cilët shkrepën fjalën, armën dhe gjitha ato që kishin në dispozicion për të pasur ditë lirie dhe pavarësie.

“Kaq vite pas rënies së tyre, ne kemi obligime të mëdha duke u bazuar në shembullin e tyre heroik dhe në punën, angazhimin dhe përkushtimin e tyre për vendin. Prandaj, orientimi jonë gjithmonë do të jetë në vijën e lavdisë dhe nderit që na e bënë heronjtë e kombit”, ka thënë ai.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa ka thënë se për nder të heroizmit të komandantit Zahir Pajaziti, sheshi që bartë këtë emër do të rregullohet me fillim të pranverës.

“Është një personalitet shumë i çmuar, i cili ka lënë shumë në historinë Kosovës. Ne do ta përkujtojmë çdo herë dhe në shenjë të veprës së tij, ne nga pranvera e këtij viti do ta rregullojmë këtë shesh. Do ta bëjmë që ky të jetë dinjitoz, në mënyrë që edhe emri që bartë ta ketë peshën dhe dukjen e sheshit dhe përdorimin e këtij sheshi nga të rinjtë dhe qytetarët jo vetëm të Prishtinës por të gjithë Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Ndryshe, për nder të jetës dhe veprës së Zahir Pajazitit, Edmon Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut, dhe përkujtimit të rënies së tyre, gjatë ditës së sotme, do të mbahet një akademi përkujtimore, me ç‘rast do të flasin bashkëluftëtarë dhe personalitete të ndryshme nga jeta institucionale. (Kosovapress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›