Thaçi: I gëzofshi pagat

(E plotësuar) Për Kryeministrin në dorëheqje Hashim Thaçi nuk ka asnjë dilemë se do ta drejtojë qeverinë edhe në mandatin e ardhshëm.
Tani ai ia ka vënë syrin mandatit tjetër 2014-2018, ndërkaq mandatin e tashëm as nuk e diskuton madje.
Ndonëse në dorëheqje, Qeveria e Kosovës ka marrë vendime sot për rritjen e pagave në shumë sektorë dhe, sipas krejt të saj, këto nuk janë vendime të diskutueshme, por ‘janë të qarta dhe të pastra si loti’.
Në konferencën për media, pas mbledhjes së Qeverisë, Thaçi nuk ka dashur ta zgjasë lidhur më atë se a e ka të sigurt mandatin qeverisës që ka dalë nga zgjedhjet e 12 dhjetorit.
“Ne gjatë këtij mandati do të kemi edhe lëvizje tjera ndërsa në mandatin e 2014-2018 do të ketë të tjera”, ka thënë shkurt ai.
Ndërkaq për vendimet që Qeveria ka marrë për rritjen e pagave për sektorë të ndryshëm, duke filluar nga 30, 40 dhe deri në 50 për qind, Thaçi ka thënë se janë në bazë të Kushtetutës, dhe se financat janë të sigurta për këto rritje pagash.
“Gjithçka është e planifikuar, gjithçka është e qartë, gjithçka është në suazat e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Ne jemi vend i pavarur dhe sovran, vendimet janë tonat. I gëzofshim vitin e parë, për këtë vit të ri të gjithë punëtorët e Kosovës”, ka thënë ai.
Në këtë mënyrë ai u është përgjigjur dyshimeve të hedhura, nëse Qeveria aktuale ka legjitimitet që të nxjerrë vendime të rëndësishme.
Vendimet për rritjen e pagave të mësimdhënësve parauniversitarë, punëtorëve të shëndetësisë, policisë, doganave, punëtorëve të ATK’së, shërbimit korrektues, zjarrfikësve, veteranëve, invalidëve, familjeve të dëshmorëve dhe pensionistëve, kanë ardhur pas premtimeve dhe memorandumeve që kryeministri në dorëheqje pati nënshkruar gjatë fushatës zgjedhore në dhjetor të vitit të kaluar.
Qeveria merr vendim për rritjen e pagave
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme, mori vendim për rritjen e pagave, ashtu siç kishte premtuar kryeministri në largim, Hashim Thaçi.
Duke filluar nga 1 janari, mësimdhënësit parauniversitarë do të marrin pagë 50 për qind më të lartë. Po ashtu, familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës do të marrin ngritje prej 50 për qind, Policia e Kosovës 40 për qind, shërbyesit civilë 30 për qind, zyrtarët doganorë 30 për qind, punëtorët shëndetësorë 30 për qind dhe zjarrfikësit 30 për qind.
Në të njëjtën kohë, edhe minatorët do të kanë ngritje pagash në bazë të një memorandumi të nënshkruar më herët në mes tyre dhe kryeministrit në largim Thaçi, raporton Telegrafi.
Po ashtu, në mbledhjen e parë të qeverisë për këtë vit, Thaçi ka premtuar rritje pagash edhe për sektorin e drejtësisë.
Ai tha se kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës do ta ketë pagën e njëjtë me kryeministrin e Kosovës, ndërkohë gjykatësit e kësaj gjykate do të kenë pagë të nivelit të njëjtë me ministrat.
Thaçi tha se dikush edhe më herët ka menduar se premtimi ishte vetëm çështje fushate, por vendimi i sotëm sipas tij e dëshmon se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar seriozisht për mirëqenien e qytetarëve të vendit.
“Qeveria e udhëhequr nga unë po bën një punë e cila deri më 2007 nuk është vërejtur fare,” ka thënë Thaçi.
Në mbledhjen e parë të këtij fillim viti, Thaçi tha se angazhimi i Qeverisë së Kosovës do të jetë për një Kosovë evropiane.