E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vector: Vetëm një i lënduar në aksidentin në Gjermani

Nga Jeton Musliu më 06 janar 2011 në ora 12:33

(E plotësuar) Drejtuesit e kompanisë “Vector” thonë se në aksidentin që ka pësuar autobusi me udhëtarë kosovarë, vetëm një person ka mbetur i lënduar pak më rëndë, ndërkohë që të gjithë udhëtarët e tjerë janë mirë.

Megjithëse në fotot e transmetuara nga agjencia gjermane e lajmeve DPA, shihet autobusi i dëmtuar rëndë, Vahit Karavidaj, përfaqësues i agjencisë së udhëtimeve “Vector” tha për Gazetën Express se nga ky aksident, vetëm një djalosh ka marrë lëndim pak më të rëndë edhe ai është dërguar në spitalin e Ulmit. Ndërkohë që udhëtarët e tjerë, sipas tij, janë të gjithë mirë.

Karavidaj ka saktësuar se autobusi i takon linjës së rregullt Prizren-Stuttgart-Frankfurt.

Ai thotë se aksidenti ka ndodhur në Augsburg, ku ka pasur ngrica në rrugë.

Megjithëse sipas Karavidajt, udhëtarët e tjerë janë mirë, bazuar në ligjin gjerman, pas aksidentit, të gjithë ata duhet t’iu nënshtrohen kontrolleve mjekësore.

Ai tha se të gjithë udhëtarët janë shtetas të Kosovës, nga rajoni i Prizrenit, Gjilanit dhe Prishtinës. “Pas të gjitha verifikimeve, ata do të lirohen për në shtëpi”.

Karavidaj i tha Express-it se është në kontakt të vazhdueshëm me vozitësit e autobusit dhe personelin tjetër dhe se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, pasi të gjithë janë mirë.

Gjermani: Aksidentohet autobusi me kosovarë

Një autobus me udhëtarë nga Kosova është ndeshur me një kamion, në autostradën A8, në afërsi të qytetit Augsburg në Gjermani. Sipas raporteve të para janë lënduar rreth 30 udhëtarë, katër prej tyre më rëndë.

Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 7:15, njofton agjencia gjermane e lajmeve DPA.

Sipas njoftimeve të para nga policia e Augsburgut, një kamion me tabela regjistrimi italiane dhe me drejtues italian, është ndeshur me autobusin e udhëtarëve mes pompës së benzinës në “Zusmarshausen” dhe daljes nga autostrada “Adelsried”, në mes të Munihut dhe Shtutgartit.

Në të dy drejtimet autostrada, tash e disa orë është mbyllur, kurse sipas të dhënave të para ka edhe të lënduar rëndë nga ky aksident.

Siç mësohet, nga ky aksident janë lënduar rreth 30 udhëtarë, kurse katër prej tyre kanë pësuar lëndime të rënda trupore. Shumë prej udhëtarëve po trajtohen në vend të ngjarjes dhe në spitalin e qytetit të Augsburgut në gjermani.

Gazeta Express ka konfirmuar se autobusi i takon agjencisë së udhëtimeve “Vector”, me seli në Kosovë dhe në Gjermani.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›