“Po ndjekim nga afër situatën dhe jemi të gatishmëri të plotë”

Reshjet, ministri i Brendshëm Lulzim Basha garanton se nuk ka asnjë rrezik për përmbytje
Reshjet e shiut të dy ditëve të fundit dhe shkrirja e dëborës në zonat malore, kanë bërë që HEC-et e kaskadës së Drinit, të hapin pjesërisht portat shkarkuese. Lidhur me këtë situatë të krijuar, ministri i Brendshëm Lulzim Basha u shpreh dje nga qyteti i Shkodrës se situata hidrike në kaskadat e hidrocentraleve nuk paraqet asnjë rrezik për përmbytjet. Deklarata e Bashës u bë dje gjatë mbledhjes së Shtabit të Emergjencave për të analizuar situatën e krijuar në vend pas reshjeve që kanë rënë ditët e fundit.
Ministri i Brendshëm u shpreh për një menaxhim efiçient të situatës, njëherazi duke dhënë garanci të plotë se nuk ka asnjë rrezik për përmbytje, apo rritje të nivelit të ujërave në lumenjtë që mbajnë derdhjet e kaskadës së Drinit.
“Janë marrë të gjitha masat për një menaxhim sa më të mirë të situatës në të gjitha hidrocentralet e vendit. Nuk kemi sinjalizime për një rrezik të menjëhershëm të një pjese tjetër të zonës. Situata është shumë dinamike. Varet nga një mori faktorësh siç është temperatura, prurjet nga sistemet hidrike brenda dhe jashtë Shqipërisë qofshin ato që ushqejnë Drinin nga Maqedonia qofshin ato që ushqejnë liqenin e Shkodrës nga Mali i Zi apo lumenjtë e tjerë. Që ne të jemi në gjendje të përballojmë situatën me efikasitet të plotë është e domosdoshme që të monitorojmë hap pas hapi orë pas ore çdo ndryshim të situatës duke bërë dhe transparencën e plotë para publikut”, deklaroi ministri i Brendshëm, Lulzim Basha menjëherë pas mbledhjes së Shtabit të Emergjencave.
Ministri i Brendshëm theksoi se situata në kaskadën e hidrocentralit të Fierzës është në normat e lejueshme nga rregulloja e menaxhimit të kaskadave.
“Shifra e prurjeve prej 1200 metër kub për sekondë në hidrocentralin e Fierzës është e pranueshme dhe nuk përbën asnjë shkas për të marrë masat të tjera emergjente”, tha Basha.
Ai nënvizoi se autoritet përgjegjëse po e ndjekin nga afër situatën dhe janë në gatishmëri për çdo të papritur.
Duke bërë një analizë të reshjeve, shtabi i emergjencave nuk e ka vlerësuar situatën si alarmante.
Ministria e Brendshme urdhëron vënien në gatishmëri të ushtrisë si dhe deklaron se të gjithë institucionet e agjencitë që kanë bashkëvepruar për të monitoruar situatën e përmbytjeve të fillim janarit, janë thirrur për të pasur vëmendjen e tyre të plotë të kësaj situate në zhvillim.
Ministri Basha thekson se për momentin situata nuk është alarmante, ndërsa institucioneve përkatëse i janë dhënë të gjitha udhëzimet për të monitoruar situatën hap pas hapi.
Basha përsëriti në mënyrë të prerë se nuk mund të flitet për përmbytje tjetër në Shkodër, duke shuar kështu entuziazmin e zi që shfaqën dje gjatë ditës mediat elektronike të Edvinit, duke paralajmëruar se tashmë po vinte një përmbytje tjetër për ultësirën e Nënshkodrës.
Basha vuri në dukje se pas vlerësimit të situatës, do të ketë një vendim konkret në mënyrë që të mos rrezikohet asnjë jetë e qytetarëve.
“Pas vlerësimit të situatës do të merren të gjitha vendimit. Nuk përjashtohen asnjë vendim në mbrojtje të jetës së qytetarëve. Ka një përvojë të fituar, shpresojmë që niveli i prurjeve të jetë nën kontroll. E përsëris që situata është nën kontroll, por jemi të përgatitur për të përshkallëzuar procesin e evakuimit nëse kjo është e nevojshme”, u shpreh më tej, ministri i Brendshëm Lulzim Basha.
Sqaron edhe KESH-i: “Shkarkimet nga portat e hidrocentraleve janë
normale në kushtet e reshjeve të vazhdueshme”/Drejtori i Korporatës Elektoro-energjetike, Muharrem Stojku, informoi në lidhje me situatën e hidrocentraleve kryesore në vend pas shtimit të reshjeve të shiut. Stojku u shpreh se këtë herë mundësitë për përmbytje janë minimale. Sipas tij “reshjet do të sjellin anomali, por nuk do të ketë probleme”. Stojku theksoi se qeveria nëse do e shoh të arsyeshme do të marrë masa shtesë, duke u bazuar dhe në përvojën e muajit janar, për të eliminuar përmbytjet. Ai informoi se kanë nisur shkarkimet nga Vau i Dejës dhe Komani, por theksoi se nuk ka asnjë të dhënë për përmbytje, siç ndodhi rreth dy muaj më parë.
KESH ka bërë të ditur se gjithë punonjësit e saj janë duke monitoruar situatën dhe duke matur prirjet e ujit në kaskadat e hidrocentraleve për të bërë më pas dhe ndërhyrjet përkatëse.
Stojku u shpreh se situata nuk paraqitet alarmante.
“Për shkak të shkrirjes së dëborës në zonën e verilindjes, reshjeve të shiut që kanë përfshirë prej disa ditësh vendin tonë dhe hapjes së portave të liqenit të Ohrit nga ana maqedonase, portat e hidrocentraleve të Komanit dhe Vaut të Dejës, janë hapur prej pasdites së 18 shkurtit”, pohoi kreu i KESH-it, Stojku.
Sipas tij, shkarkimet nga hidrocentrali i Komanit janë 450 m/kub ujë në sekondë, ndërsa në hidrocentralin e Vaut të Dejës, 1200 metër/kub ujë në sekondë.
Prej disa ditësh verilindja e vendit është përfshirë nga reshje të dendura shiut, ndërsa në lartësinë mbi 1000 m ka pasur edhe reshje dëbore.
Flet Alfred Olli, kreu i Emergjencave Civile
“Shkarkimet dhe situata janë nën kontroll”
Shkarkimet në hidrocentralin e Vaut të Dejës janë brenda normave të lejuara, deklaroi drejtori i Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, Alfred Olli.
Portat shkarkuese të këtij hidrocentrali janë hapur si pasojë e reshjeve të shumta që kanë rënë ditët e fundit, dhe sipas Ollit, aktualisht shkarkimet janë 1200 metër/kub në sekondë.
Olli theksoi se, situata paraqitet disi më problematike vetëm në fshatin Ashtë të Shkodrës, ku si pasojë e shkarkimeve nga HEC-i i Vaut të Dejës, rrezikohen të paktën 10 banesa.
Drejtori i Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, Alfred Olli deklaroi gjithashtu se janë marrë të gjitha masat për parandalimin e përmbytjeve, nisur nga hapja e portave të shkarkimit në digat e kaskadës së Drinit.
Olli shprehet i bindur se nuk do të ketë përmbytje të tjera në qarkun e Shkodrës duke shtuar se ka disa pika kritike në të cilat janë marrë të gjitha masat.
Sipas tij një pikë kritike për përmbytjet është komuna e Bushatit ku rreth 10 shtëpi rrezikohen nga prurjet e lumit Drin. Një tjetër pikë kritike, tha Olli, është në komunën Obot dhe pikërisht në Anën e Malit ku rruga që lidh këtë komunë me fshatra të tjerë ka probleme por janë vendosur mjete për të mos rrezikuar.