Thaçi: Kemi një Qeveri nacionaliste dhe naziste

“Qeveria është nacionaliste dhe naziste”. Me këto fjalë lideri i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, e ka bërë bilancin politik të vitit 2011-të. Ai ka deklaruar se qëndrimi i shqiptarëve rreth kontestit të emrit, është pro grek. Vitin që po lëmë pas, Thaçi e cilësoi si vit të ngecur.
“Unë mendoj që është koha e fundit që shqiptarët hapur të thonë qëndrimin e vetë që është pro qëndrimit të Greqisë. Lufta e Gruevskit dhe maqedonasve për ta ruajtur emrin maqedonas dhe për ta lidhur trashëgiminë e territorit me identitetin kombëtar është antishqiptar jo antigrek. Nacionalizmi dhe nacizmi i kësaj qeverie është realisht antishqiptar jo antigrek. Besoj që është koha e fundit që ne të themi si shqiptarë se ky shtet është edhe i shqiptarëve dhe neve definitivisht na konvenon rruga e ndryshimit të emrit dhe të gjithë shqiptarët të identifikohen me emrin e ri të këtij shteti”, ka thënë Thaçi.
Kreu i PDSH-së e ka cilësuar si hipokrizi të radhës të Ali Ahmetit formimin e këshillit për festën e 100 vjetorit të ditës së pavarësisë, ndërsa rektorin e UEJL-së, Zamir Dikën, e ka quajtur hipokrit, që ka marrë pjesë në këtë takim.