Thaçi: Komuniteti boshnjak do të ndihmojë Sarajevën për të njohur Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se institucionet vendore besojnë se komuniteti boshnjak do të jetë një urë-lidhëse e fuqishme e bashkëpunimit ndërmjet vendit tonë dhe Bosnjës, dhe do të ndihmojë apo lehtësojë Sarajevën për të njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.
Në ceremoninë e organizuar të mërkurën në Prizren me rastin e shënimit të 28 shtatorit, Ditës së Boshnjakëve, kreu i Qeverisë së vendit tonë pasi uroi qytetarët boshnjakë të Kosovës, ritheksoi përkushtimin e Ekzekutivit për të ndërtuar një të ardhme më të mirë zhvillimore, demokratike, euroatlantike, ku të gjithë qytetarët do të ndihen krenar për të jetuar në shtetin e Kosovës.
“Tanimë, bashkërisht po e konsolidojmë shtetin tonë, kemi fituar 84 njohje të fuqishme ndërkombëtare, jemi duke lëvizur drejt integrimit të Kosovës në strukturat e BE-së dhe NATO-s dhe shumë shpejt pritet që të fitojmë edhe udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave që gjithë qytetarët e Kosovës të lëvizin të lirë, si dhe të fillojmë marrëdhëniet tregtare me BE-në”, tha Thaçi.
Në Ditën e Boshnjakëve kryeministri Thaçi shprehu falënderime për mbështetjen dhe besimin që ka treguar ky komunitet në institucionet e Republikës së Kosovës në vazhdimësi.
“Institucionet e Kosovës besojnë se komuniteti boshnjak, gjithashtu, do të jetë një urë-lidhëse e fuqishme e bashkëpunimit të shtetit të Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës, dhe gjithashtu do të ndihmojë apo lehtësojë Sarajevën për të njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran”, tha ai.