E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Luftë të vazhdueshme korrupsionit

Procesi i integrimit evropian do të shndërrohet në zhvillim ekonomik, në përmirësim të infrastrukturës, në luftimin e pa kompromis të korrupsionit dhe në reforma të gjithëanshme. Kështu u shpreh Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në konferencën “Kosova-Progresi në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian”, organizuar nga Ministria e Integrimit Evropian.

“Në përpjekjen tonë të vazhdueshme në luftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative, institucionet e Republikës së Kosovës kanë ndërtuar kapacitete të mjaftueshme për t’u dëshmuar si bartëse e luftës ndaj korrupsionit” tha Thaçi.

“Ne kemi shprehur optimizmin tonë se sa i përket kushteve për procesin e liberalizimit të vizave se do t’i përmbushim ato më herët sesa që pritet. Jemi në atë dinamikë dhe gjërat shkojnë në atë drejtim që në një afat më të shpejt të jemi teknikisht të përgatitur për procesin e liberalizimit të vizave” tha Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.

Nga ana tjetër shoqëria civile vlerëson se sfidat kryesore të Kosovës në rrugën drejt BE-së janë lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Nëse ne bisedojmë me Komisionin Evropian për procesin e stabilizim-asocimit atëherë në vend se të quhemi tradhtar të shtetit, kombit e armiq , ne duhet të ulemi dhe të bisedojmë për sfidat të cilat i ka Kosova” tha -Ilir Deda, nga Instituti KIPRED.

“Para dy javësh unë isha në një takim ku ishin Komisionarët e lartë të Komisionit Evropian dhe asnjëherë në këtë eksperiencë nuk kam dëgjuar një perspektivë më të paqartë të integrimit të Ballkanit në Evropë“ tha Shpend Ahmeti, nga Instituti “GAP”.

Ndërkohë Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Renzo Davidi tha se integrimi në BE varet nga progresi që do të bëjë Kosova gjatë procesit të integrimit.

Bul Salihu < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›