E Shtunë, 31 Tetor 2026

Goditet banda e bosit Darko Shariç, në qendër të Lubjanës

Kartelet serbe të drogës tronditin Slloveninë

Pas kontrollit dhe bastisjes së shumë shtëpive në kryeqytetin e Sllovenisë, Lubjanë, policia speciale sllovene arrestoi ditët e fundit 15 veta, për të cilët ka dyshime të bazuara se bëjnë pjesë në grupin mafioz të kryesuar nga narko-bosi i madh serb, Darko Shariç, tani në arrati. Gazeta e përditshme “Dello” vë në dukje, me rastin e kësaj vale të madhe arrestimesh që e ka tronditur kryeqytetin slloven dhe që ka mbushur faqet e para të shtypit të përditshëm slloven, se arrestimet e lartpërmendura u kryen mbi bazën e provave të siguruara nga agjencia amerikane e luftës kundër drogës, DEA, dhe shërbimet e sigurimit slloven dhe serb. “Dello” në shkrimin e saj me titullin “Shariçi ka pushtuar tregun e drogës në Slloveni”, shkruan se “bosi ballkanik i drogës” ka hyrë në tregun e drogës në Slloveni qysh para 10 vjetësh, kur filloi të bashkëpunojë me kreun e grupit lokal mafioz, Misha Vujaçiç, nga Lubjana, ku edhe ai u vra në vitin 2003 në hotelin “Lev”, siç thuhet përgjithësisht, nga njerëz që kishin lidhje me Darko Shariçin, sepse kishte shkelur “rregullat e lojës”. Vujaçiçin në “punën” e tij e zëvendësoi një bos tjetër droge, të cilën ai vazhdojë ta shpërndajë në të gjithë Slloveninë. Gazeta e përditshme sllovene, “Dnevnik”, nga ana e saj, vë në dukje se klani i Shariçit, që ka lidhje të ngushta me bosët e mëdhenj të narko-karteleve kolumbiane, dhe i njerëzve të tij, është përgjegjës për shumë vrasje në ilegalitetin mafioz dhe se paratë e fituara në mënyrë të paligjshme i lante nëpërmjet biznesmenit serb, Stanko Subotiç Caneti. Vala e re e arrestimeve në kryeqytetin slloven është ndërmarrë në kuadrin e të njëjtit operacion policor ndërkombëtar, “Luftëtari ballkanik”, që nisi në tetor të vitit të kaluar, ku u kapën dhe u konfiskuan në një anije më shumë se 2,5 tonë kokainë, e ardhur nga Amerika e Jugut dhe me destinacion një nga portet europiane.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›