E Shtunë, 31 Tetor 2026

Babai i Matilda Petritit: Si ma vranë mjekët vajzën 17 vjeçe

Babai i 17-vjeçares Matilda Petriti, e cila vdiq në spital një vit më parë për heqjen e bajameve, ka dëshmuar dje në Gjykatën e Tiranës kundër mjekut Xhevahir Hoxhallari. Në një gjendje të rënduar emocionale, Besim Petriti ka treguar të gjithë historinë. Sipas tij, vajza kishte shfaqur disa shqetësime dhe në datën 4 prill të vitit 2008 ka bërë vizitën. Dy ditë më pas kanë bërë operimin dhe gjatë tij vajza ulërinte dhe bërtiste. Pas kësaj vajzën e kanë dërguar te tezja e saj, Lulzime Kafexhiu dhe të nesërmen vajza i kishte thënë se i dhembte ana e majtë dhe shpatulla. Disa ditë më vonë, Matilda pati një fryrje të qafës dhe rrinte me kokë të anuar. "Tri ditë pas operimit, vajzës i shpërthen hemorragji. E dërgova në spitalin e Korçës, te doktor Leonidha Dhano, i cili e futi vajzën në sallën e operimit. Vajza e kishte gojën me gjak të mpiksur. Pas dy ditësh ajo ka dalë nga spitali. Pas tri ditësh, vajzës i shpërthen sërish hemorragji. E shpie vajzën në Korçë. Atë ditë në spital ishte doktor Fredi, i cili pasi i pastroi vajzës gojën, i ka bërë dy gjilpëra. Në orën katër pasdite vajzës i ka shpërthyer sërish hemorragji në spital. U mblodhën të tërë mjekët, e qetësuan, i dhanë gjak, i dhanë ilaçe. Në orën 21.00 vajzës i shpërthen sërish hemorragji edhe më e madhe. U bënë rreth 10 mjekë, e qetësuan. Pas operacionit e dërgojmë në Tiranë. Doktor Fredi i ka thënë mjekut Hoxhallari se ‘po bëj kaq shumë kohë dhe nuk kam parë asnjë rast të tillë‘. Që ditën e parë i kam thënë Hoxhallarit se vajzën nuk e kam mirë, do shes shtëpinë, do të përgjigjem sa të duash ti vetëm të më shpëtonte", tregoi Besimi. Sipas tij, mjeku Xhevahir Hoxhallari i tha se vajza nuk ka asnjë gjë. "Më tha se vajzën e keni mirë. Dhe e kam nxjerrë nga spitali ditën e katërt pas këmbënguljes sonë. Pas një jave, vajzës i shpërthen sërish hemorragji. Më thotë vajza e vogël ‘babi Tilda po vdes‘. Kemi marrë taksi dhe jemi nisur për në Korçë. Kam shkuar me një çorape të veshur, ndërsa unë dhe gruaja ime kemi qenë të mbuluar me gjak, pasi vajza një herë villte gjak nga unë, një herë nga gruaja. Jemi nisur për në Tiranë. Hoxhallari sa e ka parë i ka thënë vajzës çohu në këmbë dhe shko në katin e dytë në fund të pavijonit. I kam kërkuar që ta linte në reanimacion. Më kanë thënë që s‘ka gjë. Pas gjysmë ore mbesa e gruas i ka thënë vajzës, si të vjen kur të del gjak nga goja. Në ato moment vajza ka shpërthyer nga hemorragjia. Kemi kërkuar mjek, por asnjë nuk ka ardhur. Një fqinj ka marrë vajzën, i ka thënë infermierit që t‘i kapte gjuhën, pasi i kishte ikur poshtë dhe sytë i kishin dalë vendit, por ai nuk mundi. Nuk na thoshte zemra që vajza kishte vdekur. Erdhën tre furgona policie dhe kanë marrë zotërinë. Kam pyetur një polic dhe më ka thënë që është një vajzë që është operuar nga bajamet, por ti çfarë e ke. E kam gënjyer duke i thënë që e kam mbesë. Polici më tha që vajza kishte vdekur. Në ato moment i jam drejtuar gruas dhe i kam thënë qaj vajzën se ka vdekur. Kemi kërkuar një ambulancë që ta shpiem në morg, por shefi i pavijonit nuk na e ka dhënë. E kemi mbështjellë me një batanije vajzën dhe e kemi hedhur në bagazhin e një makine, sikur të ishte dru dhe e shpumë në morg. Kam takuar drejtorin e morgut dhe më ka thënë që vajza ka vdekur nga hemorragjia. Pasi i ka bërë ekspertizën më ka thënë që ‘i çava grykën, kishte penj në thellësi, i kam prerë atë venën dhe e kam vënë në një vazo që mund ta përdorë më pas prokuroria për provë‘. Pas kësaj kam ndjekur rrugën time ligjore", ka deklaruar babai i Matilda Petritit.

S.Çobo

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›