DINJITETI I MUNGUAR I MEDIAS
Ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së, në mbledhjen e radhës i hapën dritën jeshile shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë, si vend kandidat për t‘u anëtarësuar në BE. Ky ishte vërtet një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët, politikën, shoqërinë civile dhe median. Dhe si i tillë do ishte e udhës që të zinte vendin kryesor në shtypin e shkruar dhe në mediat vizive, siç ndodh zakonisht në çdo vend tjetër për ngjarje të mëdha e me interesa kombëtare. Por realisht nuk ishte kështu. Në disa të përditshme kryesore, ngjarja ose u harrua me dashje, ose u la jashtë vëmendjes së duhur, duke u pasqyruar diku në ndonjë kënd të humbur si një lajm dite rutinë. Të tjera gazeta e kishin pasqyruar, por duke mos harruar ta theksonin fort si një sukses të qeverisë aktuale. Politizimi i skajshëm në të cilin është përfshirë media sot në Shqipëri, po e çon atë drejt verbërisë totale. Ngjarjet me karakter kombëtar nuk janë as të Sali Berishës e as të Edi Ramës. Europa nuk po na pranon as për buzëqeshjet e pandalshme të Kryeministrit dhe as për kollaret shumëngjyrëshe të shefit të opozitës, por po na pranon si rrjedhojë normale e një procesi të pandalshëm që buron 20 vjet më parë me rrëzimin e Murit të Berlinit. Dhe si proces i tillë, askush nuk mundet dot të marrë mbi vete merita të posaçme për këtë orë historike që ka trokitur për shqiptarët. Ndaj, të paktën në të tilla raste, është mirë të thuhet e bardhë për atë që është e tillë dhe e zezë për atë që është e zezë. Rreshtimi politik i medias pro dhe kundër qeveritare, ose pro dhe kundër opozitare, po shfaq dukshëm çdo ditë e më shumë faktin se korrupsion nuk është vetëm të marrësh ryshfet kur je mjek ose polic, gjykatës ose mësues. Korrupsion është edhe t‘i shmangesh qëllimisht të së vërtetës ose ta deformosh atë për qëllime dhe përfitime politike të një individi ose një grupimi politik. Dhe kjo është një nga format më të rrezikshme të këtij fenomeni shkatërrues, i cili mjerisht ka kapur edhe komunitetin tonë. Trillimi ose heshtja janë më të mundimshme se e vërteta. Kandidimit për në BE s‘i thonë anëtarësim, ashtu sikurse pranimit të kërkesës s‘i thonë refuzim. Ngjarje të tilla historike as nuk i përshpejton duke i cilësuar si suksese të një qeverie, sikurse nuk i ngadalëson dot duke i lënë në heshtje. Media, si e shkruar dhe vizive, duhet të reflektojë për t‘iu rikthyer misionit të saj fisnik dhe vetmitar, informimit dhe vetëm informimit të publikut, sepse kjo do t‘i kontribuonte së pari Shqipërisë e shqiptarëve dhe së dyti vetë asaj, sepse në këtë formë që po paraqitet sot, është katandisur si monedhë me dy fytyra, që po del nga qarkullimi. Të thuash të vërtetën, mbi të gjitha është dinjitet dhe medias sot në Shqipëri më shumë se kurrë ky dinjitet fatkeqësisht në shumë raste i mungon.