Thaçi-Jahjaga: Nuk ka kthim prapa

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi, kanë shprehur vendosmërinë e institucioneve për të shtrirë autoritetin dhe sovranitetin në tërë territorin e vendit.
Ndërkohë dy krerët e shtetit të Kosovës, u kanë dhënë mbështetje të plotë njësive elite të policisë për të ecur përpara.
Ata kanë vlerësuar punën e njësive speciale të Policisë së Kosovës, duke thënë se ato janë krenaria e shtetit të Kosovës.
Kryeministri Thaçi shprehu vendosmërinë për vënien e rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Kosovës, duke thënë se me asnjë çmim nuk do të ketë kthim prapa, ndërsa paralajmëroi veprime të reja për ballafaqim me kriminelët dhe kontrabandistët në veri.
Presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi vizituan kampin e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës në Vrellë.
Ata kanë dhënë mbështetje të plotë në veprimet që mund të pasojnë në ditët e ardhshme në kuadër të vënies së ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në tërë territorin e Kosovës.