E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Nuk më shqetëson Wikileaks, marrëdhëniet me Berishën i kam të shkëlqyera

Koha Ditore

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk është brengosur nga publikimi i raportit të Wikileaksit, i cili para pak ditësh e zbuloi  faktin se ai u kishte thënë diplomatëve amerikanë që i frikësohet ndikimit të Sali Berishës në Kosovë. Thotë se raportet me homologun nga Tirana si ato personale, ashtu edhe institucionale i ka të shkëlqyera. Në intervistën dhënë Kohës Ditore, shefi i Qeverisë nuk shqetësohet se Wikileaks mund të zbulojë kabllo të tjera diplomatike, të cilat e implikojnë atë në lidhjet e kontratave për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdar, apo në dhënien me koncesion të Aeroportit të Prishtinës. Thaçi thotë se kontrata e autostradës nuk është vendosur mbi kritere politike, por mbi kritere ekonomike dhe se shefi i ICO-s, Pieter Feith, do të duhej pyetur pse nuk e ka parë asnjëherë këtë kontratë. I pari i Ekzekutivit mohon që më 2 korrik të jetë arritur ndonjë marrëveshje mes palës vendëse dhe asaj serbe. Krejt çka ka dalë nga takimet katërmujore të palëve, sipas tij, janë konkluzionet e Robert Cooperit. Megjithatë, ai e pranon se palët kanë marrë zotimet për ti respektuar pikat e atyre konkluzioneve.

Ndryshe nga kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi, i cili ka vlerësuar se pala kosovare ka hequr dorë nga disa prej elementeve të shtetësisë, Thaçi shprehet i bindur se asnjëra nga konkluzionet e Cooperit nuk e prekin sovranitetin e Kosovës. Pavarësisht dallimeve në qëndrime, Thaçi thotë të ketë raporte shumë të mira me Krasniqin dhe se ka raste kur takohet me të tri- katër herë në ditë.

Kryeministri është shprehur i gatshëm që të kërkojë sqarimin e imunitetit të deputetëve te Gjykata Kushtetuese nëse një gjë të tillë ia obligon Kuvendi i Kosovës. Në të kundërtën, thotë se nuk i përzihet Kuvendit në vendimet e tij.

Thaçi e pranon se është telefonuar nga drejtori ekzekutiv i PTK-së Shyqri Haxha para se ky i fundit ta nënshkruante kontratën për Dardafonin, për të cilën tash është ngritur një aktakuzë nga EULEX-i, por mohon ti ketë bërë ndonjë presion atij.

KD: Zoti kryeministër, para pak ditësh Wikileaks na befasoi me zbulimin e një kablloje diplomatike që Ambasada amerikane në Prishtinë ia kishte dërguar State Departamentit,  e në të cilën ju e shfaqni shqetësimin për ndërhyrjen e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, në stabilitetin e brendshëm të vendit? Pse gjithë ajo frikë nga Berisha?

Thaçi: Unë nuk i komentoj opinionet e tilla, ashtu siç nuk i komenton as Washingtoni, e as kryeqytet e tjera. Por dua të theksoj se raportet edhe personale, edhe institucionale me kryeministrin Berisha janë të shkëlqyera.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›